Nën akuzë, ish-oficeri, mori 200 mijë lekë për një mjet të bllokuar

25/03/2014 00:00

Përfundon në gjykatë për korrupsion ish-shefi i antitrafikut në Fier,
Altin Hadëri, i cili akuzohet se u ka marrë një sasi parash disa
qytetarëve në këmbim të dokumentacionit të automjetit që u ishte
bllokuar rreth katër vite më parë, pasi rezultonte të ishte vjedhur
jashtë shtetit.

Mësohet se para disa ditësh, Prokuroria e Fierit ka dorëzuar në gjykatë dosjen hetimore në ngarkim të Hadërit, i cili është nën masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat. Ka qenë një videoregjistrim i bisedës së Hadërit dhe qytetarëve të cilëve u është bllokuar automjeti, që ka çuar në pranga ish-shefin e antitrafikut.

Prokuroria e akuzon të pandehurin Hadëri për veprën penale “Korrupsion aktiv e pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi dyshohet se i ka marrë një shoferi 200 mijë lekë të reja në këmbim të dokumenteve të makinës që ishin sekuestruar.

Procedimi ndaj Hadërit ka nisur pas kallëzimit të kryer nga një qytetar pranë SHKB-së në nëntor të vitit të kaluar, i cili ka pretenduar se është detyruar t’i japë një shumë të konsiderueshme parash efektivit të policisë, në këmbim të autoveturës dhe dokumentacionit së sekuestruar. Rreth katër vite më parë, i pandehuri Hadëri ka bllokuar një automjet, i cili rezultonte të ishte vjedhur jashtë shtetit. Por nga verifikimi i dokumentacionit është konstatuar se pronari i mjetit ishte blerësi i tretë i kësaj makine.

Pasi pronari i mjetit ka paraqitur gjithë dokumentacionin e rregullt të mjetit, ka kërkuar që t’i kthehet makina. Pas disa kohësh i pandehuri i ka kthyer mjetin pronarit M. Mullai, por dokumentacioni ka vazhduar të qëndrojë i sekuestruar për katër vite me radhë duke e bërë të pamundur qarkullimin e metit tip “Nisan”.

Në këto kushte, pronari i mjetit ka denoncuar faktet e sipërcituara para oficerëve të SHKB-së, të cilët kanë nisur menjëherë hetimin ndaj kolegut të tyre. Më datë 14 nëntor 2013, prokuroria ka regjistruar procedimin penal pasi një ditë më parë, P. Arapi, banor i qytetit të Fierit, ka deklaruar faktin se katër vite më parë i ka shitur një mjet tip “Nisan”, M. Mullait, duke bërë edhe një akt noterial të shitjes. Por, pak kohë pasi M. Mullai kishte marrë në përdorim mjetin, është ndaluar në një postbllok te rreth-rrotullimi i Lushnjës, nga i pandehuri Hadëri. Ky i fundit, duke konstatuar mungesë të dokumentacionit dhe me dyshimin se mjeti mund të ishte i vjedhur, ka referuar materialet në prokurori. Por, edhe pse mjeti iu kthye në ruajtje M. Mullait, dokumentacioni qëndroi i sekuestruar për katër vjet me radhë.

Dyshohet se i pandehuri u ka kërkuar dhe marrë P. Arapit dhe M. Mullait shumën prej 200 mijë lekësh të reja në këmbim të dokumenteve të makinës. Por edhe pse kishin kaluar katër vite që ata kërkonin kthimin e dokumenteve, i pandehuri nuk e ka bërë këtë gjë. I ndodhur në këto kushte, M. Mullai, ka kryer kallëzimin dhe së bashku me të birin R. Mullai kanë lënë takim me qëllim që t’i kërkonin kthimin e parave dhe të siguronin provat komprometuese ndaj të pandehurit Hadëri. Për këtë arsye, ata janë pajisur prej SHKB-së me mjete të cilat do të mundësonin regjistrimin e së gjithë bisedës me pamje dhe zë. Në momentin kur janë takuar me të pandehurin, ata i kanë kërkuar që ose t’u jepte dokumentet, ose paratë që i kishin dhënë. Por, ish-efektivi Hadëri, i cili nuk kishte shumë kohë që ishte ngritur në detyrë, në rolin e shefit të antitrafiqeve, nuk ka pranuar të japë as dokumentacionin dhe as paratë. Por në bashkëbisedim me M. dhe R. Mullain ai ka pohuar se paratë nuk i kishte mbajtur vetë, por se kishte qenë vetëm në rolin e ndërmjetësit mes tyre dhe hetuesve të çështjes në prokurori. Për këtë arsye ai ka pohuar se nuk kishte pse t’u jepte paratë. Por, ky pohim i ka kushtuar qelinë Hadërit, ndaj të cilit pritet të nisë së shpejti procesi gjyqësor për korrupsion. Ish-efektivi Altin Hadëri është plagosur rëndë në vitin 2010, teksa kishte zbritur nga banesa e tij. Sipas burimeve të atëhershme të policisë, ai kishte ndërhyrë të shuante një konflikt mes dy grupeve të rinjsh, por është qëlluar dy herë me pistoletë.

Top Channel