Imazhet e atentatit në Fushë Krujë

24/03/2014 00:00

Policia e qarkut të Durrësit e ka ngushtuar shumë rrethin e të dyshuarve për aktin terrorist që tronditi qytetin e Fushë Krujës mbrëmjen e 17 marsit.

Top Channel ka siguruar planet e njërës prej kamerave të sigurisë që ka fiksuar lëvizjet e asaj mbrëmjeje dhe që tani ndodhet në duart e grupit hetimor, që po heton mbi këtë ngjarje kriminale.

Pamjet filmike kanë fiksuar personin që ka hedhur lëndë plasëse dhe që qëndron rreth 90 sekonda jashtë rrethimit të bashkisë dhe pas hedhjes së lëndës eksplozive të aktivizuar përmes fitilit zjarrpërcjellës, largohet me vrap në këmbë.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se rrethi i të dyshuarve, duke shfrytëzuar dhe planet e siguruara, është ngushtuar tepër, ndërsa policia dhe autoriteti i akuzës është i hapur për çdo informacion që do të çojë në zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.

Shpërthimi në oborrin e Bashkisë së Fushë Krujës ndodhi në orën 19.38 të datës 17 mars, duke regjistruar vetëm dëme materiale, ndërsa hetimet kanë nisur për veprën penale “veprime me qëllime terroriste”, që bëhen me qëllim përhapjen e panikut në popullatë apo dhe qëllime të tjera.

Kjo vepër penale parashikon dënimin me burgim jo më pak se 15 vjet ose me burgim të përjetshëm.

Top Channel