Besimtarët bektashianë kremtojnë ditën e Sulltan Novruzit

22/03/2014 00:00

Besimtarët bektashianë kremtojnë sot ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur
si Dita e Novruzit. Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e
fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Kjo ditë nis me
urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe.

Me rastin e kësaj feste në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvillua ceremonia tradicionale fetare ku Kreu i Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj uroi të gjithë besimtarët për më shumë dashuri dhe paqe me njëri-tjetrin

“Sot në këtë ditë të bukur të pranverës, 22 marsit, festës së Sulltan Nevruzit dhe lindjes së madhit Ali, ju uroj paçi bekim kurdoherë në veprat tuaja të mira, Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqim në udhën tuaj. Duke ju falur kësaj drite gjejmë udhën tek i Madhi Zot për të na lehtësuar si gjithmonë me praninë e tij qëllimin tonë për t’u afruar drejt tij. Duke pranuar lutjet tona ai na frymëzon për të zbuluar në zemrën tonë atë që është më e mira, të cilën ai vetë me dashuri hyjnore ka vendosur në të. Ne të gjithë sëbashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në udhën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën, mbi të gjitha paqe me veten tonë”.

Ceremonia u hap nën tingujt e himnit kombëtar të flamurit, ndërsa nuk munguan edhe mesazhet Baba Edmond Brahimaj për më shumë përkushtim moral dhe atdhetar.

Ndërkohë në Kryegjyshatën botërore shkuan për vizitë edhe zyrtarë dhe drejtues të shtetit.

“Uroj të gjithë shqiptarët për një të ardhme më të mirë dhe për më shumë shpresë dhe bashkëpunim. Kjo ditë na fton të jemi më të mbarë dhe besimplotë drejt të ardhmes”, tha pas vizitës, kryeparlamentari Ilir Meta.

Edhe ministri i Mirëqënies Sociale vizitoi Kryegjyshatën e bektashinjve. “Harmonia fetare nuk na ka rënë në lotari, është një investim  i përditshëm. Më vjen mirë që edhe krerët e besimeve të tjera fetare ishin në Kryegjyshatë”, tha Veliaj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se sot është një ditë e vecantë, simbol i triumfit të dritës mbi errësirën.

“Në natyrën njerëzore në këtë ditë të gëzueshme e mira triumfon”, tha Basha.

Top Channel