Arrestohet kryetari i Komunës Tropojë e Vjetër

22/03/2014 00:00

Me urdhër të Prokurorisë së Tropojës, u arrestua kryetari i Komunës
Tropojë e Vjetër, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim
dokumentesh. Ram Kërtoçi, së bashku me pesë vartës, dyshohet se kanë
xhiruar fondet e komunës për mirëmbajtjen e disa objekteve, kur në
terren nuk është investuar asgjë.

Burime zyrtare nga akuza qendrore pohojnë se hetuesit e çështjes kanë arritur të krijojnë bindjen se shtatë shtetasit, në bashkëpunim dhe disa herë, kanë kryer veprat penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Pas urdhrit, janë arrestuar: Ram Kërtoçi, kryetar i Komunës Tropojë e Vjetër; Haki Nezaj, nënkryetar; Man Malaj, shef i financës; Zeqir Hykaj, teknik ndërtimi; Resmi Mulaj, sekretar; dhe Fitim Peci, sektori i pyjeve.

Policia ka arrestuar edhe Sami Isufin, administrator i firmës “Besimi”. Nga hetimet rezultoi se këta persona kishin abuzuar, ndër të tjera, edhe me dy objekte në fshatin Viçidol, vendlindjen e ish-kryeministrit Sali Berisha. Komuna kishte akorduar fondin për kryerjen e punimeve për riparimin e pritës mbi Lumin Viçidol si dhe riparimin e urës së këtij fshati. Por, nga verifikimet në terren rezultoi se nuk ishte kryer asnjë punim.

Hetimet nga policia

Prokuroria ka regjistruar hetimin në muajin shkurt 2014, pas një kallëzimi të Komisariatit të Policisë së Tropojë. Krimi ekonomik në këtë komisariat ka siguruar informacione se nga ana e zyrtarëve dhe punonjësve të Komunës Tropojë e Vjetër janë kryer veprime të kundërligjshme duke xhiruar shuma parash subjekteve private të cilat kanë fituar prokurimet me blerjet e vogla të realizuara online nga Komuna Tropojë e Vjetër gjatë vitit 2013 për investime dhe shërbime mirëmbajtje, të cilat, nga ana e zyrtarëve të komunës, u janë xhiruar nga komuna subjekteve private pa u kryer ende punimet në terren sipas objekteve përkatëse. Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se zyrtarët lokalë, kanë kryer pagesat e plota për llogari të shoqërisë `Besimi`, duke i konsideruar 6 punime infrastrukturore të përfunduara, ndërkohë që nga verifikimi në terren rezulton se këto punime nuk kanë filluar ose nuk kanë përfunduar. Pagesat për shoqërinë “Besimi”, e cila ka fituar tenderin për këto punime, janë kryer duke falsifikuar dokumentet dhe me shpërdorim detyre.

Punimet e pabëra

Sipas akuzës, ka rezultuar se janë kryer pagesat e plota por nuk është përfunduar puna në terren për riparimin e kanalit kullues në fshatin Aste. Është bërë këqyrje e vendit të punimeve në prani të ekspertit dhe ka rezultuar se në këtë vend nuk janë kryer punime për riparim kanali kullues. Objekti i dytë ka qenë riparimi i urës së fshatit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Viçidol, në lagjen Tabak. Është bërë këqyrja e vendit të punimeve dhe ka rezultuar se në këtë vend nuk janë kryer punime në urë. Objekti i tretë ka qenë riparim banjo në shkollën e fshatit Kasaj. Sipas ekspertëve ka rezultuar se në këtë vend nuk janë kryer punime në shkollë. Gjithashtu nuk janë kryer punime për riparimin e pritës mbi lumin Viçiodol, ashtu siç nuk janë bërë punime për riparimin e urës në fshatin Shumicë. Objekti i fundit i ekspertuar nga prokuroria, ku dhe ishte bërë pagesa nga ana Komunës Tropojë e Vjetër, ishte riparimi i urës si dhe rruga e fshati Ahmataj. Është bërë këqyrje e vendit të punimeve në prani të ekspertit dhe ka rezultuar se në këtë vend nuk janë kryer punime për riparim ure dhe rruge në fshatin Ahmataj. “Për të gjitha këto shkelje, prokuroria ka provuar se përgjegjës janë personat e mësipërm, ndaj të cilëve është kërkuar masë `arresti me burg`, kërkesë e pranuar nga gjykata dhe e ekzekutuar nga Policia e Shtetit”, – pohon akuza qendrore.

Top Channel