Si është të jesh ministër i Jashtëm i Kosovës sot, 6 vjet pas shpalljes së Pavarësisë? Me çfarë ritmi po vazhdon procesi i njohjeve? Si arrin Kosova ta sigurojë një njohje në këtë kohë? Në studio me Alban Dudushin, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, për një intervistë personale: rrugëtimi i tij politik përkrah sfidave të Kosovës.

Alban Dudushi: 31 vende kanë njohur Kosovën, gjatë postit tuaj si ministër i Jashtëm. Po emri juaj a ju ka sjellë fat?

Enver Hoxhaj: Emri im flet fillimisht për dashurinë që kanë pasur familja ime për Shqipërinë. Më pas flet edhe për atë që jam unë, ndërkohë edhe për familjen ku jam rritur. Në karrierën time politike e akademike, kam pasur një ndjeshmëri më të veçantë për Shqipërinë, ndoshta edhe për shkak të emrit për më shumë. Sigurisht, kam pasur edhe probleme, sidomos në momentin e shkollimit, pasi nga qarqet e Serbisë ky emër ka qenë i urryer. Ka pasur probleme, keqtrajtime, por jo në shkallën më të egër të mundshme.

Alban Dudushi: Në postin që mbani aktualisht, si ndiheni si një nga përfaqësuesit kryesorë të Kosovës në botë?

Enver Hoxhaj: Sigurisht që është një përgjegjësi e madhe. Kjo për faktin që jam ministër i Jashtëm i një vendi vetëm 6-vjeçar, i cili ka ende punë për të bërë përpara sa i përket njohjeve në arenën ndërkombëtare. Po, dita ime është më tepër e ngarkuar ndoshta se sa e homologëve të mi të tjerë. Kjo për shkak se dita shpesh nis që në 5 të mëngjesit, ndërkohë që fundjavën e kaloj duke biseduar me vendet arabe, të cilat kanë një kalendar tjetër, pasi ata kanë ditën e premte, ditë pushimi. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë një detyrë e vështirë për një individ, sado i përgatitur qoftë.

Alban Dudushi: Por është edhe një ndjenjë kënaqësie…

Enver Hoxhaj: Patjetër. Të vjen keq në fakt që shumë përfaqësues të lartë me të cilët jam ndeshur e kam pasur takime gjatë kohës që mbaj këtë post, nuk e njohin ende realitetin e Kosovës, nuk e dinë ende se si janë zhvilluar ngjarjet atje, nuk kanë ende dijeni se jemi një popull i vogël, që kemi jetuar i shtypur për shumë kohë. Megjithatë, nga këto takime mund të them se shumë prej tyre kanë ndryshuar mendim, pas argumenteve që u janë parashtruar në tavolinat e bisedimeve me ne, këtu e kam fjalën për shumë aspekte, për shumë tematika të ndryshme.

Alban Dudushi: Keni një tërheqje të veçantë për leximin…

Enver Hoxhaj: Kam lexuar shumë, qoftë gjatë karrierës time akademike, ashtu edhe gjatë kohës që kam qenë përfaqësues i jashtëm i Kosovës. Para çdo mbledhjeje më duhet të lexoj shumë gjëra, më duhet të përgatitem mirë që të ofroj substancën më thelbësore të informacioneve që duhet të parashtroj para personave me të cilët jam ulur në tryeza bisedimesh. Sigurisht, kam lexuar shumë edhe për t’u informuar më mirë se me cilët persona kam pasur të bëj, pasi asnjë takim nuk mund të mendohet pa një parapërgatitje apo pa një qasje fillestare të problematikave që priten të diskutohen mes palëve. Ashtu siç thotë edhe diplomati amerikan Richard Holbrooke, në detyrën tonë ka disa momente kur duhet të tregohesh edhe gjeni për të kapur situatën dhe për të reaguar në mënyrën më të duhur.

Alban Dudushi: Përmendët Holbrooke, por nuk besoj të jetë i vetmi frymëzim për ju në diplomaci.

Enver Hoxhaj: Një nga karakteristikat e diplomatëve është fakti që ata nuk duhen të dorëzohen, ky koncept nuk duhet të ekzistojë për ta. Po ashtu, diplomati duhet ta shohë botën në mënyrën më të drejtë të mundshme. Jo çdo gjë duhet t’i besojë asaj që thuhet, nuk duhet të tregohet naiv, por të shohë përtej atyre që thuhen për të kuptuar më thellë aspekte të ndryshme të diplomacisë. Duhen gjithashtu edhe planifikime e strategji për mënyrën si do të paraqitesh. Këto janë virtyte që janë mësuar e janë absorbuar nga diplomatë të huaj të ndryshëm.

Alban Dudushi: Cilat janë objektivat e ardhshme të ministrit të Jashtëm të Kosovës?

Enver Hoxhaj: Kosova deri më tani është njohur nga 106 vende, por ende nuk është njohur nga Kombet e Bashkuara, nuk është bërë anëtare e saj apo edhe e organizatave të ndryshme globale. Prioriteti im është se si ne të mundësojmë integrimin tonë në këtë sistem mbarë global. Në 2012 jemi anëtarësuar në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, vitin e kaluar në Bankën Europiane të Zhvillimit Ekonomik. Megjithatë synimi ynë është që Kosova të jetë pjesë e sistemit të përgjithshëm ndërkombëtar. Duam që të mos mjaftohemi vetëm me njohjen e shtetit tonë, por të shtrijmë edhe lidhjet tona me ambasada apo konsullata në vendet me të cilat do të kemi marrëdhënie bashkëpunimi. Deri më sot kemi pasur një fazë bilaterale për të përparuar me disa aspekte të integrimit tonë, por tashmë duhet të kalojmë në fazën multilaterale, për të përforcuar gjithçka kemi arritur deri më tani.

Alban Dudushi: Kthehemi rreth 10 vite më parë, gjatë karrierës suaj akademike.

Enver Hoxhaj: Gjatë studimeve time e kam parë veten të inkuadruar në politikë. Gjithnjë kam marrë pjesë në takime e organizime të ndryshme politike. Fakti që kam qenë shok studimesh me Hashim Thaçin gjatë viteve 87-88 e më tej edhe në vitet ’93-’94, tregon më pas tërheqjen time për politikën, tregon më shumë se përse jam sot në qeveri dhe përse jam angazhuar me PDK-në. Angazhimi im në këtë parti i dedikohet shumë relacionit tim me liderin e kësaj partie, me të cilin jemi miq dhe në të tilla raste gjërat thuhen edhe më lirshëm, më hapur.

Alban Dudushi: Keni qenë shokë studimesh, por perceptoheni si një politikan i ri, ndryshe nga Thaçi, që shihet si një politikan i vjetër. Cili shihet si pasardhësi i mundshëm i Hashim Thaçit në politikën kosovare?

Enver Hoxhaj: E vështirë të flitet për këtë gjë. Kryeministri është një politikan aktiv dhe ka ende një të ardhme të gjatë përpara. Ai ka një ambicie të madhe për të bërë edhe më shumë, edhe më mirë për Kosovën. Tani për tani nuk ka një domosdoshmëri për të menduar për faktin se kush do të jetë pasardhësi i tij, por mund t’iu siguroj se pavarësisht krahasimit tuaj me PD-në e Shqipërisë, dua të them se Partia Demokratike e Kosovës është më e hapur dhe nuk besoj se do të ndodhë që liderin e ri, kur t’i vijë koha, ta zgjedhë vet zoti Hashim Thaçi.

Alban Dudushi: Në vijim do të udhëtoni për në Bruksel, pas një udhëtimi që kishin në Pakistan.

Enver Hoxhaj: Po, në Bruksel do të takohem me Komisionerin për Zgjerimin në BE, me të cilin do të kemi takime mbi disa tema të rëndësishme, përfshi këtu edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kam qenë në disa prej kryeqyteteve të vendeve më të rëndësishme të BE-së, dhe mund të them thuajse me bindje se brenda këtij viti do të merret vendimi për vizat në lidhje me Kosovën. Për momentin, në BE është një periudhë zgjedhjesh parlamentare, por sapo të përfundojë kjo do të vijë momenti të bëhet edhe zgjedhja dhe verdikti për çështjen e mësipërme, për të cilën mund të them se Kosova ka mbetur si një vend i izoluar dhe nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë, pasi duket si diçka diskriminuese. Qëllimi i vizitës sime është shtrimi i kërkesës për arritjen e këtij objektivi.

Alban Dudushi: Thoni që vendimi për vizat duhet marrë këtë vit, ndërkohë që më parë thatë se diplomati nuk duhet të jetë naiv për atë që i thuhet apo premtohet. A është synimi juaj i bazuar në analizë apo thjesht në premtime?

Enver Hoxhaj: Mund të them se në BE ka disa vendime që konsiderohen si problematike, ndonjëherë të nevojshme për t’u marrë, por që duan më shumë kohë për t’u diskutuar e për t’u analizuar. Nga të gjitha partitë e mëdha, qoftë të djathta e të majta, kemi parë që ka një vëmendje të veçantë për disa vendime të caktuara, që përpara se të merren kalojnë njëherë në lupën e sondazheve dhe ndikimit te publiku. Kur bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme, atëherë ata zgjedhin më mirë që vendimmarrja të shtyhet për një periudhë të mëvonshme, por kjo nuk do të thotë që vendimi nuk do të merret, ndaj dhe them se brenda këtij viti do të ketë një konkluzion për vizat, gjë që nuk u arrit të bëhej gjatë vitit të kaluar. Vlen të përmendet fakti se në të tilla raste jo të gjitha palët janë dakord dhe kundërshtimet duhet të trajtohen në atë mënyrë që të sfumohen sa më shumë të jetë e mundur, apo që shumica të arrijë në një konkluzion të përbashkët.

Top Channel