Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pasditen e së mërkurës pas deklaratave të zotit Genc Pollo, në mbrojtje të kryetares pa mandat të AMA-s, Endira Bushati.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Kuvendit bëri me dije se shërbimi i monitorimit të institucioneve të pavarura ka konstatuar mungesën e mandatit të anëtarit nga kryetarja e AMA-s, Bushati.

“Këtu rezultoi se mandati i kryetares në detyrë të AMA-s është i paevoluar me mandat anëtari, sipas përcaktimit ligjor, që nga data 24/09/2012, kur i ka mbaruar mandati ligjor si anëtare”, deklaroi Marsiola Duro.

Për këtë qëllim, tha ajo, kryetari i Kuvendit ka propozuar plotësimin e vendeve vakante të anëtarëve të AMA-s, përfshirë edhe mandatin e zonjës Bushati, që ka përfunduar në shtator të vitit 2012.

“Vlerësimet e kryera nga shërbimi i monitorimit dhe shërbime të tjera përbëjnë dokumente tekniko-ligjore mbështetëse dhe orientuese për kryetarin dhe anëtarin e Kuvendit. Janë organet e tij që bëjnë vlerësimin dhe realizojnë vendimmarrjen përfundimtare në komisione dhe seancë plenare”, vijoi Duro.

Top Channel