Për të biseduar me nivelin e lartë të PPM të gjetur në naftën e ARMO-s, në studion e edicionit qëndror informativ në Top Channel ishte i ftuar As. Prof Arben Luzati, Shef i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik.

Ilir Paço: Zoti Luzati rezulton që sasia e squfurit në naftën e rafinerisë së  ARMO-s të jetë gati 4 herë më e lartë se norma e lejuar. Si përkthet kjo për mjedisin?

Arben Luzati: Kjo përkthehet që dioksidi i squfurit duhet të jetë më i lartë, por kjo varet nga sasia e kësaj partie me squfur dhe vendin ku është shpërndarë karburanti.

Ilir Paço: Si ndikon kjo përqindje e lartë e squfurit në karburantin e automjeteve për shëndetin e qytetarëve?

Arben Luzati: Është më shumë ndotje e mjedisit dhe e kombinuar me ndotësit e tjerë, dioksidi i squfurit është një nga 6 indikatorët që monitorohet në Shqipëri dhe Europë, efektet shëndetësore janë në sistemin frymëmarrës dhe në sistemin kardiovaskular. Preken më tepër të sëmurët kronikë, si ata me astmë, bronshit dhe ata me sëmundje kardiovaskulare.

Ilir Paço: Shqipëria është ndër vendet e Europës me nivelin më të lartë të ndotjes, si  ndikon  kjo përqindje e lartë e squfurit e kombinuar me elementë të tjerë ndotës që gjenden në mjedis?

Arben Luzati: Ne nuk kemi bërë vlerësim të impaktit të ndotjes së ajrit në shëndet, por kjo përkthehet që njerëzit do të jetojnë disa ditë më tepër të sëmurë.

Top Channel