Bozdo: Rama ka bllokuar punimet për bulevardin

19/03/2014 00:00

Bashkia e Tiranës ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se pavarësisht
vendimit të gjykatës, ka bllokuar punimet për bulevardin e kryeqytetit.

Nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo u shpreh në një konferencë për shtyp se qëllimi i Kryeministrit është të bllokojë projektet e Bashkisë së Tiranës dhe këtë e bën nga xhelozia, pasi bulevardi për momentin është i vetmi kantier ndërtimi në Shqipëri.

“Vetëm një ditë pas vendimit të gjykatës që urdhëroi rifillimin e punimeve për ndërtimin e bulevardit të Tiranës, Edi Rama ka urdhëruar përsëri bllokimin e kësaj vepre strategjike. Edhe kësaj radhe në mënyrë  absurde dhe joligjore ka urdhëruar shkeljen e ligjit për pushtetin vendor duke e imponuar në mënyrë të paligjshme ngrirjen e fondeve të shpronësimeve për bulevardin e ri.

Edi Rama nuk i duron dot veprat. Paaftësia e tij si kryeministër dhe xhelozia për këtë kantierë të madh për kryeqytetin, i vetmi ku punohet sot në Shqipëri e shtyjnë atë drejt veprimeve antiligjore. Edi Rama ka vetëm një objektiv, të bllokojë projektet e bashkisë së Tiranës me çdo çmim. Bllokoi buxhetin e bashkisë, bllokoi shpronësimet për varrezat publike, bllokoi bulevardin dhe uli në mënyrë të paligjshme të ardhurat e bashkisë së Tiranës”, tha Bozdo.

Top Channel