Situata hidrike në vend paraqitet alarmante nga mungesa e reshjeve të
shiut dhe thatësirës përtej normales së vërejtur këto muajt e fundit.

Sipas të dhënave nga Koorporata Elektro-Energjitike Shqiptare, niveli i ujit në Kaskadën e Drinit ka pësuar rënie të ndjeshme, me një diferencë të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në liqenin e Fierzës, niveli i ujit ka rënë deri në kuotën e 274,79 metrave, nga 296 metra që është kuota maksimale e lejuar, ndërsa prurjet mesatare ditore janë 84 m3/sek.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli në Fierzë shënonte 291,26 metra për shkak të prurjeve më të mëdha se normalja.

Ndërsa në liqenin e Komanit, niveli është 172,24 metra, nga 175 metra të lejuara, me prurje mesatare prej 193 m3/sek.

Ndërkohë, në Vaun e Dejës niveli i ujit shënon 74,45 metra, nga 76 metra të lejuara, me prurje mesatare prej 216 m3/sek.

Ekspertët thonë se situata do të vijojë të jetë shqetësuese për sa kohë, sipas parashikimeve, reshjet e shiut do të vazhdojnë të mungojnë edhe përgjatë ditëve të ardhshme.

“Kemi siguruar energji”
Zv/ministri i Energjisë: Nuk do të ketë kufizime

Por, zv/ministri i Energjitikës, Ilir Bejtja, tha për Top Channel se, pavarësisht kësaj situate, energjia është e siguruar. Ai deklaroi se nuk do të ketë kufizime për konsumatorët.

“Deri tani kemi blerë 350 mijë kW energji rezervë në ditë. Nëse situata do të vazhdojë kështu, skenari është që të vazhdojmë me blerjen e energjisë nga vendet e rajonit. Mundësia e transmetimit nga ana jonë është përmirësuar, por çështja kryesore do të jetë çmimi i importit të energjisë. A do të sjellë ky skenar ndonjë ndryshim në aspektin e çmimit për konsumatorët? Absolutisht që jo”, u shpreh zv/ministri Bejtja.

Top Channel