Sarandë, shtonin katet, akuzohen pesë ish-zyrtarë

17/03/2014 00:00

Këshilli i Rregullimit të Territorit e Bashkisë Sarandë. Hetimi ka nisur
pas një kallëzimi të dorëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nën
akuzë janë vënë: Panajot Gunari, Vangjel Tuni, Manjola Nikollo, Safije
Murtaj dhe Albana Kolagji.

Pas kallëzimit të KLSH-së, prokuroria ka sekuestruar praktikat e dhënies së lejeve të ndërtimit. “Është vendosur kryerja e ekspertimit grafik të shkrimit e nënshkrimit lidhur me plotësimin e vendimeve të KRRT-së Sarandë, për të cilat kemi raste të shtimit të kateve më tepër sesa janë në protokollin e mbledhjes së KRRT-së pas sekuestrimit të tyre”, pohon akuza. Ka rezultuar se Vangjel Tuni ka qenë me detyrë përgjegjës i zyrës së sekretarisë teknike në periudhën kohore në të cilën ka pasqyruar të dhëna në formularin A2, të ndryshme nga ato në protokollin e mbledhjeve përkatëse, ndërsa Safije Myrtaj, në vitin 2007, ka qenë me detyrë specialiste e sekretarisë teknike, e cila ka kryer të njëjtat “gabime” si Tuni, ashtu si edhe Manjola Nikollo dhe Albana Kolagji.

“Lidhur me rastet e plotësimit të formularëve në ndryshim me procesverbalin e KRRT-së, rezulton se jemi përpara veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve” nga të pandehurit, të cilët e kanë kryer veprën penale në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Kjo vepër penale, thotë akuza, mund të ishte eliminuar nëse do të kishte funksionuar në mënyrë korrekte ushtrimi i kompetencës nëpërmjet kontrollit përkatës nga drejtori i Urbanistikës, Panajot Gunari. Në rastin konkret, Gunari me mosveprim ka lejuar me dashje, duke i ditur pasojat, të pasqyroheshin në numër katesh më shumë sesa ishin miratuar në fakt.

Drejtori i Urbanistikës, vijon akuza, nëse do të ushtronte kompetencat e tij sipas ligjit, nuk duhej të nënshkruante pa e verifikuar një formular me të dhëna të rreme, për të cilat ai dinte rëndësinë dhe pasojat që shkaktonte një veprim i tillë. Gunari kishte dijeni se protokolli është mbajtur nga i pandehuri Vangjel Tuni dhe për këtë shkak duhej të kishte kontroll të plotë mbi zbardhjen e formularit A2 për të mos lejuar krijimin e pasojave të falsifikimit nga punonjësi që e ka për detyrë.

“Është e provuar se të gjitha rastet e falsifikimit të dokumenteve të mësipërme janë kryer gjatë kohës që i pandehuri Panajot Gunari ushtronte detyrën e drejtorit të Urbanistikës dhe ka pasur në varësi institucionale të pandehurit Vangjel Tuni, Manjolla Nikollo, Safije Murtaj dhe Albana Kolagji, te të cilët kishte kompetenca të plota të ushtrimit të kontrollit për veprimtarinë e tyre si punonjës të zyrës së sekretarisë teknike”, pohon akuza.

Top Channel