Panariti: Kontroll farmacive dhe fermave për simulantët artificialë

17/03/2014 00:00

Ministria e Bujqësisë ka nisur kontrollin në të gjitha pikat e shitjes
së kimikateve që përdoren edhe për rritjen artificiale të produkteve
bujqësore e blegtorale.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se në asnjë rast nuk do të lejohet tregtimi i pesticideve apo stimulantëve të ndryshëm në rrugë, jashtë farmacive bujqësore.

“Nuk do të lejojmë që intekticisë, pesticide etj, të tregtohen buzë rrugëve jashtë qendrave të specializuara për këtë qëllim. Janë një rrezik publik, janë lëndë helmuese, prandaj tregtimi i tyre jashtë qendrave të posaçme do të konsiderohet si shkelje ligji”, tha Panariti.

Ministri Panariti u kërkoi farmacive bujqësore të mos tregtojnë këto kimikate pa një recetë dhe të informojnë fermerët lidhur me mënyrën e përdorimit të tyre. Për të kontrolluar dozën që fermeri përdor pasi merr këtë produkt nga farmacia, ministri Panariti thotë se do të forcohet kontrolli edhe në procesin e analizës së mostrave të produkteve në laborator.

“Inspektoriati i Kontrollit të Bimëve, do të jetë ai që do të monitorojë zbatimin e tyre. Natyrisht zbatimi është më i lehtë në serat, në prodhimet e fermave të mëdha. Tek prodhuesit e vegjël kjo bëhet më e vështirë”, tha Panariti.

Ministria e Bujqesise ka nisur nje fushate ndergjegjesimi per perdorimin e prodhimeve shqiptare, por konsumatori ankohet per cilesine e dobet te tyre pikerisht si pasoje e perdorimit te stimulanteve kimike qe shkaterrojne cilesine.

Top Channel