Sot përkujtohet 6-vjetori i tragjedisë së Gërdecit. 26 persona humbën
jetën dhe 300 të tjerë u plagosën pas shpërthimit të fuqishëm të
fabrikës së demontimit të armëve në fshatin që ndodhet rreth 15 km larg
nga kryeqyteti, më 15 mars të vitit 2008.

Familjarët e viktimave kanë rendur dyerve të gjykatave për të gjetur drejtësi për njerëzit e tyre të dashur që humbën jetën në këtë tragjedi, por duket se drejtësia shqiptare pikërisht me këtë çështje ka treguar anën e vet më të  shëmtuar dhe jo njerëzore.

Kështu, nga 29 të akuzuarit si përgjegjës në lidhje me shpërthimin që u mori jetën 26 personave, aktualisht ndodhen në burg vetëm 2 persona, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi. Mihal Delijorgji fitoi lirinë pak kohë më parë, ndërsa Ylli Pinari gjithashtu la qelinë pak ditë më parë pasi iu ndryshua dënimi nga burg në liri me kusht.

Kodheli: Gërdeci ende një zonë me rrezikshmëri të lartë

Në përvjetorin e gjashtë të tragjedisë së Gërdecit, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, nga zona ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm akuzoi qeverinë ‘Berisha’ për keqmenaxhim dhe abuzim lidhur me kete ngjarje te rende, ndërsa garantoi se qeveria aktuale po merret me rehabilitimin jo vetëm të zonës, por dhe të të dëmtuarve nga kjo tragjedi, të cilët ende nuk janë dëmshpërblyer për humbjet që pësuan 6 vjet më parë.

“Ne e konsiderojmë sot Gërdecin një hot spot që akoma duhet të pastrohet. Janë rreth 68 mijë mera katrorë akoma për t’u rehabilituar, ndërsa janë rehabilituar 7 mijë metra katrorë”, tha ministrja e Mbrojtjes.

Top Channel