Zamiri, një qytetar nga Shkodra, ka rrëfyer në Prokurorinë e Krimeve të Rënda historinë e ish-bashkëshortes, me të cilën ka një fëmijë gjashtë vjeç, e që implikon në këtë çështje njërin nga të dyshuarit e arrestuar për terrorizëm.

Organi i akuzës dyshon se fëmija i seksit mashkull ndodhet në Siri bashkë me të ëmën, Almira Kastratin, e cila pas divorcit u martua me Genci Ballën.

Burri ka treguar para prokurorëve se pasi çifti u nda, ajo u martua dhe u bë një ndër katër gratë e imamit të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, Genci Ballën, i njohur me emrin e besimit Abdurrahim Balla.

Nga martesa me 35-vjeçarin nga Librazhdi, gruaja e diplomuar në ekonomi, ka lindur para tre vitesh edhe një djalë tjetër. Nga të dhënat në sistemin TIMS rezulton se nëna e dy fëmijëve ka dalë nga aeroporti i Rinasit së bashku me Ballën dhe dy djemtë e mitur, duke u larguar nga Turqia drejt Sirisë, ku dhe ndodhet aktualisht.

Ndërkohë që imami Balla, i diplomuar për teologji, e që njihet si radikal në besimin mysliman prej vitit 1999, u kthye sërish në Shqipëri për të marrë rolin e organizatorit. Sipas prokurorisë, në të gjithë historinë e rekrutimeve rezulton se ka mbi një vit që Shqipëria ka hyrë në hartën e vendeve problematike.

Balla mësohet se del në përgjimet ambientale duke predikuar për xhihadin, ndërsa tregohet tepër i kujdesshëm në komunikimet telefonike, që e vendosin atë në qendër të të implikuarve së bashku me një tjetër imam të vetëshpallur nga Shqipëria, i cili ndodhet në Turqi.

Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Gerti Pashaj nga Peqini, i cili njofton bashkëpunëtorin e tij për çdo mbërritje të qytetarëve shqiptarë në Turqi e mandej në Siri.

Historia e dy fëmijëve është e dyta e kallëzuar pas asaj të familjes së një gruaje nga lagjia Laprakë e Tiranës, që denoncoi dërgimin në Siri të dy fëmijëve të saj nga bashkëshorti Shkëlzen Dumani, edhe ky i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Top Channel