Itali, Lecco mban zi për tri vajzat

13/03/2014 00:00

Në mesditë qyteti i Lecco-s në veri të Italisë, ku të enjten është shpallur ditë zie, u ndal dhe respektoi një minutë heshtje.

Në shkolla, zyra, dyqane dhe fabrika iu bë homazh në këtë mënyrë tre vogëlusheve shqiptare të vrara në agimin e së dielës nga nëna e tyre. Komuna e Lecco-s, ka ulur flamurin e qytetit në gjysmështizë, ndërsa nuk ndalen homazhet për Simona, 13 vjeç, Kejsi 10 dhe Sidni, 3 vjeç të cilat do të prehen në Shqipëri.

Megjithëse familja është me origjinë myslimane, banorët e qytetit organizuan dhe morën pjesë në mënyrë masive në një meshë kushtuar tre vajzave.Kryebashkiaku i Lecco-s është shprehur se kjo “dhimbje ka një përmasë familjare, por edhe një permasë publike dhe qytetare këto janë çaste duan të shtrëngohen reth kësaj familjeje”.

Ndërkohë duket se është marrë në pyetje për herë të dytë Edlira Dobrushi, e cila ndodhet ende në spital ku i është nënshtruar dy ndërhyrjesh kirurgjikale jo të vështira. Ajo u përpoq të vriste veten, pasi vrau vajzat e saj gjatë natës dhe ndenji me trupat e tyre të vendosur në shtratin bashkëshortor për rreth katër ore. Me sa dihet 38-vjeçarja shqiptare nuk i është përgjigur pyetjeve, as të avokatit të saj mbrojtës dhe as të gjykatësit për hetimet paraprake.

Top Channel