Genc Balla, imami i vetshpallur i Xhamisë së Unazës së Re, në një prej ligjërimeve të tij e cilëson tolerancën fetare si një kurth që po i ngrihet islamit.

“Bashkojnë të vërtetën me të kotën në emër të harmonisë fetare, në emër të bashkëjetesës mes feve. Ky lloj kurthi ka marrë përmasa shumë të mëdha, përmasa botërore. Në emër të paqes ata duan të shkatërrojnë islamin, ata duan që muslimanët të shkojnë të falen në kishë dhe priftërinjtë të mbajnë meshë në xhami. Ç’kuptim ka që ta lejosh ti priftin të hyjë në xhami? Kuptimi është që ti t’i thuash priftit, hajde ti dhe thuaju njerëzve Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Ky është ndër kurthet më të mëdha që po thuren kundër islamit”, thotë i imami i vetshpallur.

Në një tjetër fjalim të mbajtur në ambientet e xhamisë që ai drejtonte Balla sulmon ashpër dhe politikën, e cila sipas tij është e gjunjëzuar përpara Perëndimit.

“Thonë ky është ekstremizëm edhe pse e dijnë shumë mirë që ligji i Allahut e përmban këtë lloj cështjeje. Këta njerëz i kanë zemrat e sëmura! Këta njerëz shohin në fe, vetëm atë fe që varet nga Kibla e Perëndimit, jo Kibla e Lindjes, ndaj edhe ata i drejtohen Perëndimit dhe cfarë thotë Perëndimi për ta është fe, cfarë nuk thotë Perëndimi për ta nuk është fe por është turp”, predikonte i arrestuari, Genc Balla.

Ajo që bie në sy në regjistrimet e ligjërimeve të Genc Ballës, është fakit sy ky i fundit në asnjë prej tyre nuk pranon të filmohet.

Revolta e xhihadistëve
Thirrje në rrjete sociale për protestë nesër në Tiranë

Në rrjetet sociale ka pasur reagime të shumta në mbështetje të të arrestuarve.

Madje në Facebook është hapur edhe një faqe “kundër arrestimit të hoxhës Abdurrahim Balla”, ku bëhet fjalë për shtetasin Genci Balla, imami i vetshpallur i xhamisë së Unazës së re, i arrestuar nga policia.

Kjo faqe ka si mbështetës 2949 persona, ndërkohë që statusi i kësaj të enjteje njofton për një protestë të premten, në orën tetë kundër arrestimit të Ballës, e po ashtu edhe pas namazit të xhumasë.

Thirrje u bëhet po ashtu hoxhallarëve në një status tjetër, që pavarësisht ku ndodhen, të dalin në mbrojtje të të arrestuarve.

Edhe në një tjetër faqe bëhet thirrje për protestë dhe gjithashtu kërkohet mbështetje për mbrojtjen e të arrestuarve.

Ata thonë se protesta do të nisë sapo të dalin nga xhamia. Për një grumbullim të ngjashëm për protestë njoftohet edhe para policisë në momentin që 4 të arrestuarit e tjerë do dërgohen në gjykatë.

Top Channel