Civici: Shkollimi, në pamundësi të punësimit

13/03/2014 00:00

Për të folur mbi argumentin e papunësisë në rritje, e sidomos të asaj pjese të shoqërisë që përbëhet nga të papunë me diplomë, në lidhje të drejtpërdrejtë me Revistën informative të Mbrëmjes në Top Channel, të drejtuar nga kryeredaktori Pandi Gjata, ka qenë Adrian Civici, ekspert ekonomie.

Pandi Gjata: Një pjesë e mirë e të papunëve janë të rinj të diplomuar. Sipas jush, cilat janë arsyet e kësaj situate, të këtij tregu që ne kemi?

Adrian Civici: Pikë së pari është e rëndësishme të përmendet se ne po flasim tashmë për shifra 17-18% papunësie, që janë shifra relativisht më të larta se sa ajo klasike apo standarde që për 8 apo 10 vjet jemi mësuar ta përmendim shpesh, siç kanë qenë 13-13,2%, çka tregon se, qoftë si ndryshim i ideologjisë së matjes së papunësisë, qoftë edhe një vrojtim më i mirë i realitetit, rezultojmë në grupin e atyre vendeve që cilësohen me përqindje shumë të larta papunësie, gjë që përbën edhe sfidën më të madhe të politikave tona ekonomike e financiare, dhe përgjithësisht të gjithë strategjive të zhvillimit.

Pandi Gjata: Fakti që ne kemi një mahni, për të shkuar të gjithë nëpër universitete, apo shkolla të larta, ku pjesë e këtij arsimimi si në universitetet publike dhe ato private janë edhe ata nxënës, le të themi, që kanë një mesatare shumë të ulët gjatë shkollës së mesme, a e dëmton këtë treg të diplomimit, këtë treg të punës?

Adrian Civici: Unë mendoj se kjo duhet parë në dy aspekte komplementare me njëra-tjetrën. Së pari, Shqipëria hyn në grupin e atyre vendeve, ku si pasojë e vështirësive për të gjetur punë, ku si pasojë e vështirësive për të pasur një profesion apo një shkollë profesionale, vazhdimi i universitetit është si të thuash një mënyrë për të kaluar edhe 3 apo 5 vjet të tjera. Në pamundësi të punësimit t’i bën një shkollë të lartë. Nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por edhe i shumë vendeve të tjera, dhe universiteti për një pjesë të mirë të studentëve më shumë bëhet strehë qoftë për të kaluar këto vite, qoftë për të ardhur në Tiranë nga rrethet, ose me shpresën që do të bëj diçka në një perspektivë 3 ose 5-vjeçare, për të gjetur një vend pune. Natyrisht, kur nuk ke një lidhje të qartë midis asaj çka kërkon tregu i punës, cilët janë profesionet që ofrohen në këtë treg pune dhe thjesht ndjek një universitet, kjo shpjegon edhe tendencën që kemi ne, që të gjithë pa qenë të lidhur me këtë treg pune në një masë të madhe kërkojnë atë profesion, që konsiderohet si ndër profesionet më të mira, profesione edhe më të lehta, si psh., kërkojnë të bëhen juristë, ekonomistë, ndërkohë që ka shumë pak që kërkojnë të bëhen inxhinierë, të bëjnë shkencat e natyrës.

Pandi Gjata: Ndoshta është momenti për të bërë një proces paralel, edhe mes universiteteve, por edhe tregut të punës, për të parë dhe për t’i dhënë prioritet asaj se çfarë kërkon tregu…?

Adrian Civici: Pikërisht, ky ishte elementi i dytë që doja të theksoja, sepse shpesh herë duke e etiketuar këtë fenomen, që universitetet po prodhojnë të papunë të diplomuar, në fakt nuk është fiks kështu, por është se meqenëse nuk ka punë dhe nuk gjendet shpejt punë, një pjesë e madhe e të rinjve janë të prirur të vazhdojnë universitetet si gjeja më e lehtë e mundshme dhe, nga mosha 19 ose 20 vjeç që mund ta kërkojnë punësimin duke pasur një formim profesional, e kërkojnë atë në moshën 23, 24 apo 25 vjeç. Nga ana tjetër, duke iu referuar edhe shifrës së papunësisë, unë do thoja që ndoshta vitet e fundit ne jemi prekur edhe më shumë nga kriza. Treguesi i papunësisë është tregues i gjendjes apo i shëndetit të ekonomisë shqiptare. Po përmend vetëm disa fakte: Vetëm rritja ekonomike prej 1 ose 2%, por edhe faktet e tjera që kanë të bëjnë me bizneset, që deklarojnë se punojnë nën kapacitetet e tyre me një ulje të aftësisë dhe dëshirës për të blerë, ose konsumit në Shqipëri, rënia e kredive dhe investimeve, qoftë e investimeve të huaja direkte, qoftë dhe financimeve që bëjnë edhe vet individët apo edhe bizneset nëpërmjet sistemit të kredisë, pra shumë elementë të kësaj natyre tregojnë që ekonomia shqiptare nuk po ecën me ato ritme që krijojnë vende të reja pune, në atë sasi që ne duam. Gjithashtu ne reflektojmë edhe një sëmundje tjetër do të thoja, të paktën 10-15 vjeçare: po të krahasojmë ritmin e rritjes ekonomike në Shqipëri me ritmin e rritjes së punësimit konstatojmë se nuk ka një lidhje të drejtë, siç duhet të kishte normalisht. Hyjmë në grupin e atyre vendeve, ku rritja ekonomike nuk është shoqëruar ose nuk është transformuar në nivelin e duhur të punësimit, çka tregon se qoftë struktura e investimeve, qoftë mënyra se si e kemi përdorur ne zhvillimin e strategjive ekonomike nuk kanë pasur në plan të parë punësimin, por kanë pasur tregues të tjerë.

Pandi Gjata: Si njohës i ekonomisë si ekspert, padyshim, por edhe i botës akademike zoti Civici, cilat janë nismat konkrete që duhet të ndërmerren për të rregulluar këtë treg?

Ardian Civici: Unë mendoj se ka disa elementë. Së pari, duhet ta kemi të gjithë të qartë që universitetet janë paralel me ekonominë. Është ekonomia ajo që krijon kërkesën për punë, që krijon tregjet e punës, që krijon segmente profesionale të punësimit dhe pastaj universitetet i përgjigjen me ato diploma që duhen. Në këtë sens, një nismë shumë e mirë do të ishte një lloj profesionalizimi më i madh i studimeve universitare, sidomos në nivelin Bachelor, ose në nivelin e kolegjeve profesionale, pasi po të shikosh raportet që ne kemi ndërmjet formimit profesional dhe formimit të përgjithshëm universitar, pothuajse jemi në vendet e fundit qoftë në raport me Bashkimin Europian, qoftë me vendet e tjera, për sa i përket përqindjes dhe nivelit të formimit profesional. Nga ana tjetër, edhe vet politikat tona ekonomike duhet të synojnë që të hapin ato vende pune, ose ato sektorë që përdorin masivisht vendet e punës. Normalisht është pozitive edhe kronika që ju dhatë, që ne po bëjmë çdo lloj përpjekje për të mbështetur edhe industrinë e fasonëve, por duhet të kemi parasysh që nuk mundet që e ardhmja e ekonomisë shqiptare të jetë ekonomia me fasonë, pasi bëhet fjalë për vende pune me 100-120 mijë lek (të vjetra), ashtu si mund të jenë edhe Call Center-at. Paralelisht me këtë shqetësim, ndoshta duhet të shikohet mundësia se cilët janë ato degë, ato shërbime dhe ato lloj investimesh që përveç rentabilitetit dhe rritjes ekonomike krijojnë edhe vende pune në mënyrë masive.

Top Channel