Greqi, dëbohet studenti shqiptar

12/03/2014 00:00

Prokuroria e qytetit të Larisës nuk ka pranuar kërkesën e Unionit të Mësuesve të Arsimit të Mesëm dhe ka urdhëruar dëbimin e një studenti shqiptar, i cili jeton në këtë qytet prej disa vitesh, pa dokumente.

Bëhet fjalë për Aleksandër Ahmetaj, nga qyteti i Kukësit, i cili në 2009, kur ishte 18 vjeç, ka kaluar kufirin në këmbë dhe pas disa ditësh ka mbërritur në Larisa, te xhaxhai i tij.

Në fillim është regjistruar në shkollën e natës dhe, pasi e përfundoi, ka kaluar në Liceun Teknik, ku studion edhe sot në degën e Instalimeve Kompjuterike, në klasën e dytë.

Siç dëshmon për Top Channel, Alfons Lupi, nxënës shqiptar edhe ai në të njëjtën klasë, drama e shokut të tij të ngushtë filloi para një jave, kur gjatë një kontrolli rutinë të makinës së xhaxhait të tij, ai është gjetur pa dokumente, është arrestuar dhe, pasi është mbajtur tre ditë në rajonin e policisë, është liruar, duke pasur vetëm një jave afat për t’u larguar nga Greqia.

Ndërkohë profesorë të liceut, ku ai studionte, dhe të sindikatës së mësuesve të qytetit, që negociojnë prej mesditës së të martës me policinë, u kanë kërkuar organeve të rendit shtyrjen e afatit të dëbimit, në mënyrë që të paktën të mbarojë sezonin shkollor, pasi po të dëbohet do të humbasë gjithë vitin.

Nëse kërkesa nuk pranohet dhe 23-vjeçari nuk largohet deri në 12 Mars, përballet me dënim 6 muaj burg dhe gjobë 6000 euro.

E pyetur nga Top Channel, drejtoresha e Liceut Teknik të Larisës, Katerina Delkou, ka deklaruar se po bëhen të gjitha përpjekjet me Ministrinë e Rendit, Ministrinë greke të Arsimit dhe Unionin Kombëtar të Mësuesve, në mënyrë që nxënësit shqiptarë, përveç lejes së qëndrimit t’i aprovohet një leje studimi e menjëhershme nga Ambasada greke në Tiranë, që të mos humbasë vitin shkollor.

Me ndihmën e profesorëve dhe rrethit të tij shoqëror, pritet që 23-vjeçari t’i drejtohet përsëri gjykatës për ndryshimin e urdhrit të dëbimit.

Për ngjarjen është sensibilizuar edhe shtypi lokal, ndërsa edhe gazeta “Ethnos”, e së martës, bashkë me shumë agjenci kombëtare lajmesh kanë trajtuar këtë histori, që ka shkaktuar reagime në opinionin publik të vendit.

Top Channel