Për të festuar Ditën e Verës në Tiranë do të zhvillohen aktivitete për të gjitha grupmoshat nën organizimin e katër ministrive: asaj të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Kulturës, asaj të Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

“Është një festë që qendrën e ka në Elbasan, por në Tiranë jetojnë më shumë shqiptarë. Prandaj, Tirana është një mundësi fantastike që qytetarët të shijojnë një sërë aktivitetesh si opera, teatri i kukullave, cirku, etj. Këto evenimente do të organizohen tek Parku Rinia, ndërsa në sheshin e madh do të prezantohet panairi i turizmit, koncerti për të rinjtë dhe do të promovohen produktet shqiptare”, deklaron ministri Veliaj.

Për t’i shijuar të gjithë aktivitetet artistike, edhe ata të cilëve mundësitë ekonomike nuk ua lejojnë, dita e 14 marsit do të jetë e mbushur me të tilla në ambjente të hapura.

“Jemi të ndërgjegjshëm që situata ekonomike është e vështirë, kështu që kjo është arsyeja përse institucionet do të dalin jashtë godinave. Ideja është që Tirana të kthehet në një hapësirë demokratike ku të gjithë të jenë të barabartë. Prandaj u kemi kërkuar dhe bizneseve që të ofrojnë produktet me kosto të ulët”, nënvizon Veliaj.

Dhe për të festuar pa shpenzuar, ministri Veliaj siguron, se kjo është e mundur. “E gjitha është konceptuar si diçka pa kosto, për të treguar se kur do, me pak vullnet, qeveria mund të bëjë me zero qindarka diçka për qytetarët”, shton Veliaj.

Tirana, gati për Ditën e Verës

Bashkia e Tiranës ka përfunduar dekorimin shumëngjyrësh të kryeqytetit dhe i ka ftuar të gjithë të festojnë në Ditën e Verës.

Axhenda e Bashkise eshte interesante, sepse, perveç tradites se panairit “Bli Shqip”, ku do te marrin pjese perfaqesues nga te gjitha trevat shqiptare, promovimi i talentit te te rinjve do te jete nje nga risite e Dites se Veres kete vit. Me 14 mars jane parashikuar aktivitete ne Tirane edhe nga Qeveria, por Bashkia e Tiranes tha se ende nuk ka asnje kerkese zyrtare per leje zhvillimi aktiviteti.

“Panairi “Bli dhe prodho shqip” i cili tashmë është kthyer në një traditë. Do të vijojnë aktivitete të natyrave të tjera, për të gjithë grup-moshat.sheshi para Galerisë së Arteve do të jetë i veçantë dhe do të jetë i përqëndruar në fushën e teatrit. Do të kemi animacione dhe pjesë teatrale për fëmijë, nga më të ndryshmet dhe për disa grup-mosha. Kemi parashikuar aktivitete në të gjitha pikat kryesore, ku mendojmë se publiku do të vërshojë në këtë ditë feste, për të gëzuar e për të qenë sa më aktivë në festimet e kësaj dite”, thotë Drejtori i Artit dhe Kulturës në Bashkinë e kryeqytetit, Arben Skënderi.

Top Channel