Masakrimi i motrave, shtyhet marrja në pyetje e babait

10/03/2014 00:00

Ka shkuar në qytetin e Lecco-s, në veri të Italisë, Bashkim Dobrushi,
babai i tre vajzave të vrara ditën e diel nga nëna e tyre, 37-vjeçarja
shqiptare Edlira Dobrushi.

Karabinierët kanë vendosur të respektojnë dhimbjen e tij dhe të shtyjnë për më vonë marrjen e tij në pyetje për të shpjeguar diçka më shumë mbi marrëdhëniet familjare e problemet që mund të kenë shtyrë gruan në këtë akt ekstrem.

Në agimin e së dielës ajo ka tentuar të vrasë veten pasi kishte vrarë më thikë vajzat e saj, Sidnin 3 vjeç, Kesin 10 dhe Simonën 13 vjeç. Me sa bëhet e ditur, pikërisht Simona, vajza më e madhe duket se është munduar të kërkojë ndihmë. Rreth orës 2:15 të mëngjesit të së djelës në numrin e emergjences se karabinierëve ka mbërritur një telefonatë, por operatori ka dëgjuar në telefon vetëm britma dhe linja ka rënë pa arritur të flasë me njeri.

Ndërsa në shkollat e vajzave, të hënën ato përkujtohen me dhimbje të madhe e dashuri nga bashkëmoshatarët, nëna e tyre ndodhet e shtuar në spital në gjendje traume psikologjike. Ruhet nga forcat e rendit dhe nga personeli shëndetësor në çdo çast, sepse mund të përpiqet të vrasë veten, ashtu siç qe munduar të bëntë pasi kishte vënë në shtratin bashkëshortor trupat pa jetë të tre vajzave të saj.

Nderkohe familja Dobrushi ne Kukes, ka hapur dyert e mortit. Në këtë familje nisën ditët e zisë, ndërsa vëllai i Bashkimit, Hamiti, tregon se lajmi tronditi në mënyrë të papërshkrueshme familjen dhe gjithë banorët e komunës.

Top Channel