“Ndërtimi i xhamisë nis së shpejti”

09/03/2014 00:00

Një ditë pas zgjedhjes në krye në komunitetit mysliman, Skënder Bruçaj është uruar nga ministri Erion Velilaj, dikasteri i të cilit mbulon edhe kultet.

Zgjedhjet për kreun e ri të komunitetit mysliman Veliaj i cilësoi si model, madje theksoi ai ato janë edhe një shembull për ata që angazhohen në politikë apo organizata të tjera ku zgjedhjet kanë nevojë të jenë po aq demokratike dhe qytetare si ato të se shtunës në Komunitetin Mysliman.

Ai vlerësoi kontributin e Selim Muçës përgjatë një dekade në krye të këtij Komuniteti dhe tha se janë shumë cështje që duhen zgjidhur shumë shpejt.

“Një cështje që duhet zgjidhur shumë shpejt është ajo e Xhamisë së Namazgjasë, një nevojë e jashtëzakonshme e Komunitetit për të pasur hapësirë të shprehjes së besimit. Qeveria shqiptare është në fazë bisedimesh me pronarët dhe ata që kanë pretendime për tokën. Jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim shumë shpejt këto cështje dhe të fillojmë menjëherë ndërtimin e xhamisë. Jam i bindur që kjo është e rëndësishme edhe për drejtuesit e rinj të Komunitetit. Gjëja e fundit që do të thoja është se historia e islamit në Shqipëri është një histori që na bën të ndjehemi krenarë. Është një histori unike kur dëgjon që asnjë hebre nuk humbi jetën në Shqipëri dhe nuk iu dorëzua nazistëve falë besimtarëve myslimanë dhe përkushtimit të tyre për vlerat njerëzore dhe hyjnore”, tha ministri Veliaj.

Kryetari i ri i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj falenderoi të gjithë ata që e votuan në atë të cilin e quan ‘Parlamenti i Myslimanëve’.

“Unë kam fatin të kem shembullin e një tradite të mrekullueshme të kryetarëve që kanë drejtuar më parë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si njerëz të përsosur dhe megjithë kontributin që kanë pasur për të përcuar vlerat e përbashkëta, për harmonizimin e dialogut ndërfetar në Shqipëri që është një shembull konkret, unik. Besoj që do të jetë një nga ato vlerat kryesore që ne do të promovojmë familjes europiane kur të bashkohemi nesër. Me këtë rast unë falenderoj ministrin për mbështetjen në realizimin e projektit të Namazgjasë”, deklaroi kreu i ri i KMSH, Skënder Muçaj.

Për cështjen e Namazgjasë, Bruçaj u shpreh se nuk ka asnjë problem me fondet dhe se ai beson se komuniteti është më afër se kurrë drejt realizimit të këtij projekti të madh.

Top Channel