18 njollat e zeza në qarkun e Korçës

09/03/2014 00:00

Udhëtimi i pasigurt si pasojë e problemeve infrastrukturore, por edhe të mungesës së sinjalistikës, mbetet rreziku më i madh për drejtuesit e automjeteve dhe udhëtarët.

Në qarkun e Korçës numërohen të paktën 18 pika rreziku, apo njolla të zeza, të cilat janë shpesh burime aksidentesh me pasoja fatale. Këto 18 pika rreziku i janë raportuar zyrtarisht Ministrisë së Transporteve, pas kërkesës së autoriteteve për evidentimin e tyre në të gjithë vendin.

“Kemi nxjerrë rreth 18 pika rreziku, që kërkojnë ndërhyrje emergjente nga institucionet, njëkohësisht edhe pjesa tjetër e grupuar për të ndërhyrë nga firmat kontraktore që operojnë në qarkun e Korçës”, tha Gentian Pere, Drejtoria Rajonale e Rrugëve, Korçë.

Por, me rrugët ka edhe një problematikë tjetër, me rrezikshmëri të lartë për jetën e udhëtarëve. Vjedhja e sinjalistikës rrugore është kthyer në një fenomen alarmant për humbje jetësh. Në qarkun e Korçës rezultojnë të vjedhura 70 tabela rrugësh, vetëm brenda një muaji.

“Për këtë i jemi drejtuar edhe policisë, por njëkohësisht po hetojmë rast pas rasti për atë se kush i ka vjedhur, për t’i gjetur e për t’i vënë para ligjit të gjithë ata që dëmtojnë tabelat vertikale”, shtoi Gentian Pere.

Dy prej akseve rrugore më të rëndësishme të qarkut juglindor, Korçë-Kapshticë dhe Korçë-Pogradec, janë segmentet me numrin më të lartë të aksidenteve me pasoja fatale për jetën e udhëtarëve.

Top Channel