Rama: Qeveria e përkushtuar ndaj grave

08/03/2014 00:00

Përurimi i zyrës se re të punës në qytetetin e Vlorës, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, është paraprire nga një numër i lartë i vendeve të lira të punës.

“Vende të lira punë aktualisht janë 219, kryesisht biznes fason, call center, si dhe disa aktivitete shërbimi si recepsionist, kuzhinier. Po ashtu kemi sistemuar me punë 2 ekonomiste, kemi 1 kërkesë për inxhinier elektrik. Kanë filluar të bëjnë kërkesa për pozicione më të larta pune.  Ne po rakordojmë edhe me qendrën e kualifikimit, duke qenë se biznesi fason ka shumë kërkesa për makinistë. Realisht është një kurs shumë i gjatë, por kemi ndërtuar edhe një kurs më afat shkurtët për t’iu përgjigjur kërkesave”, deklaroi Marjana Cani, drejtoreshë e zyrës së punës.

“Duhet të punojmë intensivisht për t’u vënë në kontakt me të gjithë sipërmarrjet për të vënë në dispozicion të gjithë vendet e lira të punës. Dhe, nga ana tjetër, me sa më shumë informacion për njerëzit që kërkojnë punë, që në qoftë se duan punë, punë ka dhe punët janë këtu”, deklaroi nga ana e tij kryeministri Rama.

Çelja e zyrës së punës në qytetin bregdetar është bërë jo pa qëllim në ditën e 8 marsit, ku kreu i qeverisë, përveç se uroi të gjitha gratë dhe vajzat, e cilësoi këtë ditë të shënuar për atë që e quajti “gjysma më e mirë e shoqërisë”.

Duke theksuar se qeverisja e tij ishte ajo që iu besoi më shumë femrave, me një numër të lartë të përfaqësimit të tyre në qeveri, Parlament dhe institucione, Edi Rama tha se detyrimi është për ta bërë vendin më të mirë për gratë dhe vajzat, duke aplikuar strategji nxitëse për bizneset që punësojnë gra dhe vajza.

“Në Strategjinë e Punësimit dhe të Aftësimit, që tanimë është publikuar dhe është një instrument në duart e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, punësimi dhe arsimimi profesional i grave dhe vajzave zë një vend të veçantë. Ashtu sikundër zë një vend të veçantë dhe angazhimi për të nxitur dhe mbështetur në mënyrë të posaçme të gjithë ato biznese që punësojnë gra dhe vajza”, u shpreh Rama.

Zyra e punës në Vlorë është e treta në radhë e përuruar në kuadër të shërbimit kombëtar të punës.

Top Channel