Fatos Baxhaku – Ai ecte si i përhumbur nëpër shtegun që shkelte çdo
mëngjes. Një polic e mbante me kujdes për krahësh, por mjekra e tij e
thinjur kishte rënë edhe më poshtë. Duke shtrirë para duart e prangosura
dhe me vështrimin e ngulitur në një pikë që s’ekzistonte, plaku iu
dorëzua fatit të tij. Allahu, tek i cili ai besonte verbërisht, e kishte
bërë të vetën. E kishin arrestuar.

Kjo është historia e një plaku nga Gruemira, një zonë e vjetër e Malësisë së Madhe, ndokush ende e quan Rrjoll. Sikur moda e tritolit të mos ishte bërë modë, ai apo ndalimi i tij as që do të përbënte lajm, por ja që ai doli dhe u shpall si një nga njerëzit më të rrezikshëm të këtij vendi.

Media bën çudira. Në një haur ku më parë ai mbante bagëtitë kishte fshehur 200 kallëpe dinamiti, fishekë, kallashnikovë, granata, fitil. Në 1997-n, në kohën e marrëzisë kolektive, ai nuk kishte dashur të mbetej mënjanë shokëve, kishte hyrë edhe ai në tunelin pa zot dhe kishte marrë sa të mundte. Shpresa ishte që do të shiste ndonjë gjë nga kjo “xhephane” pa fund. A nuk po bënin kështu të gjithë?

Plaku me mjekër të gjatë u bë menjëherë personazh i njohur i lajmeve. Dukej sheshit se kronika ishte e servirur, e menduar, e bërë me ngenë më të madhe të mundshme. Madje një polic i çuditshëm, që dukej si një nga djemtë e fshatit, por me jelek policësh, ishte xhiruar në disa plane teksa tërhiqte një gomar të ngarkuar me dinamit. Goxha sukses! Madje u la të besohej se plaku me mjekër të gjatë na paska pasur gisht edhe në disa vendosje bombash, mes të cilave edhe në një ujësjellës. A nuk të vjen të brohorasësh se “qeveria e kap lepurin me qerre”?

Vetëm një ditë më pas, u lajmërua një tjetër scoop i servirur: Në Torovicë ishte kapur një burrë që bënte bomba vetë. Ky, me sa duket duhet të ketë qenë “terrorist” edhe më i sofistikuar se plaku, sepse ky përdorte nitrat amoni dhe naftë për të bërë barut! Pa shikoni pak sesa i rrezikshëm ishte ky njeri?!

Gjashtë vjet e gjysmë më parë. Mbase me të njëjtin njeri, mbase me një kolegun e tij, por kjo nuk ka shumë rëndësi, patëm kaluar një ditë mes shpërthimeve në zemër të kodrës shkëmbore të Kakarriqit. Askush nuk çuditej, askush nuk e ndalonte hapjen e vrimave në zemër të malit, madje policë e minatorë të improvizuar e pinin bashkë kafenë e parë të mëngjesit. Jetesa e këtyre banorëve mbështetej, sikurse mbështetet edhe sot, vetëm në shitjen e gurëve. Të kruspullosur, hapnin me durim vrima aq të vogla sa një fole dhelpre dhe më pas depërtonin në shkëmb duke bërë plasje e duke vënë kokën në rrezik për të shitur gurë e për të fituar bukën e përditshme. Ishte një punë e palicencuar, një punë e rrezikshme për veten dhe për të tjerët, një punë e shëmtuar, mund të vazhdojmë pa fund, por ama nuk kishte lidhje aspak me atentatet me tritol e me telekomandë që kanë përfshirë vendin kohët e fundit.

Beteja me të ligën është një luftë e gjatë, sa vetë njerëzimi, sepse në thelb është një luftë brenda nesh. Qeveria ka për detyrë që të vendosë qetësinë, dhe në këtë tagër është në shenjë të vëmendjes. Sikur duhen të jenë në shenjë të vëmendjes edhe disa prej kolegëve tanë ndër rrethe që brohorasin më fort sesa një shef policie për arrestimin e ndonjë fakiri fukara.

Të gjithë ne bashkë, duhet ta kemi të qartë se jetojmë mbi një depo gjigante armësh. Këtu nuk është puna se ndaluam plakun e Gruemirës apo minatorin e Torovicës, puna është se ne nga diktatura nuk kemi trashëguar vetëm mënyrën idhnake të të menduarit, por kemi trashëguar edhe një mal gjigant me armë, i cili i përdorur nga mendje të liga të bën gjëmën. Ahmet Zogu, me hir a me pahir, arriti që t’ua shkëpuste shqiptarëve – deri në një farë mase sigurisht – pushkën, “zgjatimin e shtyllës së tyre kurrizore”, sikurse ka thënë me mburrje një shkrimtari ynë i njohur. Ne, që pretendojmë të shkojmë në Europë, që shtiremi si kombi më i paqtë i Ballkanit po se po, por edhe i krejt botës me gjasë, nuk kemi ende një plan kombëtar çarmatimi. Ndokush mund të thotë se ekziston, por edhe nëse është, është vetëm ndër sirtarë. Ka ardhur koha që në luftën ndaj së keqes të heqim dorë nga protagonizmi. Lajmet mbi plakun e Gruemirës apo mbi minatorin e Torovicës ishin kulmi i një propagande, që bazën e ka te servilizmi, te suksesi i shtirur, te mbajtja e vendit të punës dhe jo te puna vetë. E keqja, ajo e vërteta, ajo që bën sehir nga luksi i vet, luan me kopaca me këto të reja që na vijnë nga fusha e tritolit dhe pastaj, me hap të shtrirë, me arrogancë vrastare vazhdon të shtojë vargun e arkivoleve anë e kënd vendit dhe të nxisë frikën ndër zemrat e qytetarëve.

Meqë jemi në këtë temën e bombave të sajuara. Ai miku ynë që kemi njohur këtu e gjashtë vjet e gjysmë më parë në Torovicë, zinte be e rrufe se ishte ekspert në këto punë, sepse kishte bërë ushtrinë në xhenio dhe kështu që… Nëse është i njëjti me siguri që do të ndihet më mirë në qelinë ku e kanë shtënë sesa në tunelin e frikshëm që hapte përditë. Të paktën në qeli do të ketë ujë për të pirë, edhe ndonjë vakt të hairit, por edhe nuk do të jetë më i mbuluar nga pluhuri kokë e këmbë. Mbase mund ta shajnë se ka fabrikuar – ky është termi më i përhapur juridik – bomba dhe ta nxjerrin ndër lajme, por atij aq i bën: më në fund e ka fituar bukën e gojës.

Top Channel