“Transformimi i arsimit ka nisur”

06/03/2014 00:00

Në prag të 7 Marsit, ditës së mësuesit, kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi me mësues në godinën e qeverisë, jo vetëm për reformat që priten të transformojnë sistemin arsimor, por edhe për rritjen reale të pagave për mësuesit.

Kryeministri Rama tha se këtë vit u shënua rritja e pagës në 4 përqind, si rritje mesatare për 40 mijë punonjës të arsimit, ndërsa shtoi si hap të rëndësishëm nisjen e projektit të “Shkollës, Qendër Komunitare”.

Por, për kryeministrin, vendosja e dialogut konstant është domosdoshmëri për reformën, qoftë në maturën shtetërore, në arsimin e lartë, apo për tekstet shkollore.

“Nga ana tjetër, ju e dini shumë mirë, që ne kemi marrë edhe një zotim tjetër, që besoj është i rëndësishëm jo thjesht për atë që duket, por edhe për vetë cilësinë e sistemit të arsimit, për të njehsuar sistemin me Kosovën. E sa me kënaqësi, aq edhe me keqardhje e them; me kënaqësi për Kosovën, me keqardhje për ne; edhe pse në shumë pak vite që ka pasur në dispozicion, Kosova ka arritur të ndërtojë një sistem shumë më solid dhe shumë më të besueshëm në arsim. Padyshim edhe në mënyrën se si është ndërtuar procesi i hartimit dhe i kalimit të teksteve në dispozicion të sistemit”, tha Edi Rama.

I pyetur nga mësuesit, Rama shtoi se kushdo prej tyre, që do të shënojë rezultate më të larta, do të ketë edhe një bonus specifik, ndërsa shkollat do të kenë një kartë të performancës së tyre. Kryeministri Rama u pyet edhe për strategjinë e qeverisë për sigurinë në shkolla, e cila e nxiti Ramën të flasë edhe për mënyrën se si lexohen ngjarjet më të fundit.

“Jam shumë i vetëdijshëm për një shqetësim të posaçëm, që ka krijuar shfaqja e përsëritur e shpërthimeve me tritol, e cila pengon leximin me qetësi të rezultateve të arritura në këtë fushë, në aspektet e tjera. Por, dua ta nënvizoj nga njëra anë, ajo që jemi zotuar, ‘rikthimi i Policisë së Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve të para’, është një proces i pandalshëm, që po ecën me shumë shpejtësi dhe siguri. Nga ana tjetër, përsa i përket specifikisht atij fenomeni, që krijon shumë shqetësim, qoftë emocionalisht, qoftë në perceptimin e përgjithshëm pastaj të gjendjes, që janë këto shpërthimet, po bëhet një punë jashtëzakonisht intensive. Por, është shpërthimi i një të keqeje të akumuluar në një kohë të gjatë, për shkak të një shpartallimi të policisë dhe të një kapilarizimi të krimit. Dhe, në këtë aspekt, janë të lexueshëm qoftë elementi i larjes së hesapeve mes njerëzish me precedentë penalë, a thua se ka një ngut për të mbaruar punë, përpara se sa gjithçka të vendoset nën kontroll, dhe nga ana tjetër, edhe elementi i frymëzimit të këtij fenomeni nga një propagandë, le të themi shqetësuese”, përfundoi Rama.

Top Channel