Protesta e shoferëve të furgonëve

06/03/2014 00:00

Qindra drejtues të automjeteve 8 plus 1 protestuan për herë të dytë para
Kryeministrisë kundër vendimit të Qeverisë, për të mos i lejuar të
kryejnë transport ndërqytetas si më parë.

Këtë herë protesta filloi nga selia e Parlamentit, ku çdo të enjte parashikohet të mbahet seanca plenare. Këtë rradhë, seanca u zhvillua të mërkurën, për shkak edhe të një fjalimi që mbajti presidentin italian Napolitano para deputetëve.

Nga Parlamenti protestuesit marshuan përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’u ndalur para Kryeministrisë. Për të treguar se protesta e tyre është paqësore, protestuesit hodhën karafila të bardhë në dyert e Kryeministrisë.

Në vijim protesta u zhvendos në anën tjetër të rrugës, para selisë së Kryesisë së Kuvendit. Përfaqësues të protestuesve kërkuan ndryshimin e ligjit për transportet të vitit 1998 sipas të cilit automjetet 8 plus 1 përjashtohen nga shërbimi i transportit publik ndërqytetas dhe në rast se kryejnë këtë shërbim si taksi ata duhet të nisen plot dhe të kthehen bosh.

Protestuesve iu bashkuan edhe punonjës së administratës shtetërore të larguar nga puna. Protestuesit thonë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se protesta e tyre nuk do të ndalet.

Top Channel