Pranimet në universitete

05/03/2014 00:00

Edhe pse Ministria e Arsimit po e rimendon mënyrën e hyrjes së të rinjve në universitete, edhe këtë vit do të zbatohet matura shtetërore e cila do të pësojë disa ndryshime të rëndësishme.

Të rinjve këtë vit do t’u duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi mesatares dhe do t’u duhet të përllogarisin me shumë kujdes koefiçentët të cilët kanë ndryshuar sërish sipas propozimeve që kanë ardhur nga universitetet publike.

“Është bërë nga 20 në 26, është rritur me 6 për qind pesha e mesatares. Ky 6 përqindësh është ulur 3 për qind për provimin e parë me zgjedhje dhe 3 për qind për provimet e tjera me zgjedhje. Është një rritje me 40 pikë dhe fituesi i fundit poshtë vizës së kuqe lëviz me 0.05 pikë. 40 pikë janë shumë. Ne ia çojmë këtë llogaritje universiteteve dhe ato vetë kanë ndërhyrë sepse kanë korrigjuar vetëveten”, deklaron Arben Fagu, specialist i AKP.

Ekspertët e Ministrisë së Arsimit kanë sqaruar se përveç mesatares këtë vit është vendosur një prag kufi për të gjithë maturantët që nuk arrijnë 10 pikë tek provimet e detyruara dhe tetë pikë tek provimet me zgjedhje. “Dy provimet e detyruara e kanë 10 kufirin, ndërsa të tjerat e kanë 8. Kjo është një hap më tej drejt transparencës”, nënvizon Fagu.

Një pikë delikate mbetet administrimi i maturës shtetërore. Këtë vit teza do të shpërndahet përmes postës, do të vendosen gjurmues dhe stafi që do të mbajë përgjegjësi për maturën do të përbëhet nga mësues nga qytete të ndryshme. Zbatimi i këtyre masave me përpikmëri është shumë i rëndësishëm.

Top Channel