
Italia ka njoftuar zhbllokimin e 2 milionë eurove nga fondi i emergjencave për të ruajtur qytetin antik të Pompeit. Disa struktura, përfshi tempullin e Venusit dhe Romës, pothuajse janë shkatërruar nga reshjet e dendura të së dielës dhe së hënës.
Shkatërrimi i tyre ka shtuar thirrjet për veprim nga Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara. Vendi, ku hiri vullkanik mbuloi një qytet romak në vitin 79 pas lindjes së Krishtit, ka pësuar një degradim të ngadalshëm prej vitesh.
Ai është një nga thesaret më të mëdha arkeologjike të botës. Çdo vit, rreth 2,5 milionë turistë vizitojnë Pompein, që ndodhet pranë qytetit të Napolit.
Pavarësisht parave të gjeneruara, ka pasur akuza se qyteti, i caktuar si pasuri i Trashëgimisë Botërore nga organizata kulturore e OKB-së, UNESCO, është lënë pas dore dhe keqfinancuar.
Plani i ri është miratuar në një takim emergjent gjatë së martës. Ministri italian i Kulturës, Dario Franceschini, tha se do të “zhbllokojë shuëm masa, të cilat do të bëjnë që ‘makineria’ të funksionojë”. Ai shtoi se BE duhet “të jetë e sigurt se Italia kujdeset për Pompein, qoftë sa i përket masave emergjente, ashtu edhe masave afatgjata”.
Fondet do të përdoren për mirëmbajtjen rutinë. Më tej, qeveria do të ndërmarrë hapa për të mbrojtur zonat më vulnerabël të vendit historik. Degradimi i Pompeit ka qenë burim i shqetësimeve të vazhdueshme dhe vështirësive të autoriteteve italiane.
BE ka vënë fonde të konsiderueshme në dispozicion, për përkujdesjen dhe restaurimin e vendit, por paratë duket se nuk janë përdorur me shpejtësi. Komisioneri për Politikat Rajonale në BE, Johannes Hahn, tha se “çdo shembje është një humbje e madhe. Pompei është emblematik jo vetëm për Europën, por edhe për botën”.
Media italiane ka akuzuar qeverinë për veprime të ngadalta prej keqmenaxhimit apo vonesave burokratike.
Top Channel