Siria parashtroi një plan të ri për largimin e armëve kimike, disa muaj pas skadimit të afatit të caktuar nga komuniteti ndërkombëtar.
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) deklaroi të martën se Damasku shpreson që të largojë kimikatet e rrezikshme jashtë vendit brenda fundit të Prillit.
Një e treta e të gjithë sasisë së armëve kimike do të largohet brenda javës, por Siria vazhdon të ketë një sasi të madhe armësh.
Pavarësisht këtyre vonesave, kreu i misionit të OPCW-së tha se “është bërë një progres i mirë për eliminimin e tyre”.
Diplomati holandez, Sigrid Kaag tha se afati i përcaktuar më parë, për shkatërrimin e të gjithë armëve brenda Qershorit është ende i arritshëm.
Plani për çarmatosjen e Damaskut nga armët kimike u negociua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia gjatë 2013-s.
Shqipëria ishte një prej vendeve që iu kërkua nëse mund të priste procesin e asgjesimit, por qeveria Rama refuzoi këtë mundësi në muajin Nëntor.
Në një zhvillim tjetër, forcat qeveritare të mbështetura nga lëvizja islamike e Hezbollahut vazhduan gjatë ditës bombardimin e qytetit të Yabrudit, bastionit të fundit të kryengritësve në vargmalet Qalamoun.
Top Channel