Ilir Yzeiri – Krimet që po ndodhin kohëve të fundit në Shqipëri janë të përmasave serioze, ndërsa mjeti që po përdoret për t’i realizuar ato ka një simbolikë makabre dhe kanibaleske, që të sjell ndër mend vendet si Iraku apo Afganistani, të përfshira prej kohësh në një konflikt të thellë.

Shpërthimet me tritol janë bërë lajtmotivi tragjik i këtyre kohëve në Shqipëri dhe e kanë bërë vendin tonë një ishull të izoluar, një depo të mbushur me zemërim, me kriminelë gjakftohtë që kanë vendosur të vrasin objektivat e tyre me formën më kanibaleske të asgjësimit: me shpërthimin me tritol. Kjo është njëra anë e pamjes, ana tjetër dhe ajo më tragjikja, është se, në krah të kësaj katrahure dhe në krah të krimit me tritol, ka dalë opozita dhe Sali Berisha e ka shpallur veten komisar politik të këtij detashmenti të zi. Ndërsa ajo që duket, më në fund, është se, tani, brenda territorit, janë krijuar dy Shqipëri; njëra, Shqipëria normale, me njerëz të përunjur, shumica të varfër që e sigurojnë jetën me shumë mundim dhe tjetra, Shqipëria e njerëzve të fortë, e banditëve që në këta njëzetë e ca vjet kanë ndërtuar një parajsë të errët me krimet më të paimagjinueshme që janë kryer brenda e jashtë këtij vendi.

Çfarë ndodhi pas ’91-shit?

Ka shumë mënyra për t’iu qasur kësaj gjendjeje dramatike që po kalon Shqipëria sa i takon kriminalitetit. Për fat të keq, ne nuk kemi institucione të specializuara që të ndërmarrin investigime serioze dhe të raportojnë jo vetëm para autoriteteve të ngarkuar me ligj, por edhe para publikut se çfarë lloj krimi është ky që ka përfshirë gjithë vendin? Cilët janë objektivat që goditen? Cilës kategorie i përkasin, etj. Ndërsa motivet, grupet, frymëzimi, pra gjithçka që ka të bëjë me strukturën kriminale duhet të ndriçohet dhe publiku ka nevojë të dijë se nga vjen kjo llavë e nxehtë dhe e trashë e krimit në Shqipëri. Ndërkaq, nëse do të hedhim një vështrim të shpejtë në historinë e këtyre njëzetë e ca vjetëve tranzicion, do të vërejmë se Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes i shkatërroi të gjitha strukturat shtetërore të diktaturës dhe, në emër të luftës kundër komunizmit, e shpartalloi shtetin në mënyrën më kriminale. Shteti si nocion, sidomos nën qeverisjen e Berishës, e humbi autoritetin dhe u kthye në vegël për të ndihmuar strukturat kriminale dhe gjithkënd që bënte pasuri të paligjshme më së shumti. Kujtoni se çfarë ndodhi me embargon e naftës para vitit 1996 dhe sillni ndërmend 1997-n. Pas kësaj, një pjesë e shqiptarëve të prirur për sigurimin e fitimeve me anë të veprimtarive kriminale, krijuan një pasuri përrallore që asnjëherë nuk u evidentua, asnjëherë nuk u godit ashtu siç duhej. Kjo strukturë kriminale nuk e ka njohur kurrë autoritetin e shtetit dhe asnjë institucion të tij. Ata kanë bankat e tyre, policinë e tyre dhe kodin e fjalës apo të besës. Kjo strukturë kriminale ka nëpër duar një pasuri përrallore dhe e ka shpërndarë atë sidomos në industrinë e ndërtimit apo në blerje të deklaruara trojesh e tokash në bregdet. Kjo është Shqipëria tjetër që nuk pyet dhe nuk llogarit asnjë institucion shtetëror, sepse në pjesën më të madhe ata e kanë blerë edhe politikën. Mirëpo, aktualisht, kjo strukturë kriminale është në panik, sepse borxhet që ka dhënë dhe qarkullimi i parave është ndërprerë për shkak të mungesës së likuiditetit dhe borxhet që ata i kanë njëri-tjetrit janë në shifra të frikshme. Duke mos pasur asnjë besim se mund t’i marrin ato para, ata vendosin t’i eliminojnë viktimat e tyre në mënyrën më çnjerëzore dhe këtu ndërhyn antropologjia. Kriminelët shqiptarë njihen si më të dhunshmit dhe më të pamëshirshmit. Kjo po vërteton edhe njëherë atë që kanë konstatuar të gjithë ata që janë marrë me antropologjinë e shqiptarëve dhe me temperamentin e tyre. Shqiptarët më së shumti vriten për para dhe për femra. Kjo histeri krimesh që ka përfshirë pothuajse gjithë vendin ka si motiv qendror –paratë.

Ku është SHISH-i, po Prokurori i Përgjithshëm?

Mirëpo gjendja bëhet me të vërtetë e rëndë kur sheh që institucioni që e ka për detyre të ruajë vendin, të sigurojë jetën dhe zhvillimin normal të saj, Shërbimi Informativ Shtetëror, pra, është tërësisht jashtë loje. Për sa kohë që ky krim i tmerrshëm nuk po identifikohet dhe nuk po parandalohet, për sa kohë që territori i vendit, në një pjesë të madhe të tij, është jashtë kontrollit, kjo agjenci duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore. Tashmë është një fakt i njohur që dy personazhet kyçe të sigurisë kombëtare, kryetari i SHISH-it dhe Prokurori i Përgjithshëm janë zgjedhur nga njeriu më i politizuar dhe më antishtet i këtij vendi që është Sali Berisha. Ata vetë, në situatën tejet të ndezur politikisht dhe me një krim gjithnjë në rritje, pra titullarët e këtyre institucioneve duhet të kishin dhënë dorëheqjen menjëherë. Dorëheqja e tyre do të ishte një akt i lartë qytetar dhe do ta shtensiononte situatën e ngërçit politik. Mazhoranca e sotme i ka të gjitha mundësitë që t’i zëvendësojë ata dhe këtë duhet ta bëjë, por do të ishte një akt qytetar i mirëpritur nga të gjithë dorëheqja e tyre. Kështu ata do të ruanin integritetin e tyre moral dhe profesional. Duke u dorëhequr ata do të jepnin një mesazh të fortë dhe të qartë se përballë nevojës për të shpëtuar Republikën që po rrezikohet, ata largohen dhe i hapin rrugën një fryme tjetër. Sali Berisha, komisari politik i krimit të organizuar në këtë vend nuk do të kishte mundësi që të mpinte dhe të paralizonte punën e këtyre institucioneve siç po ndodh tani. Ndërsa Lulzim Basha, në qoftë se do të jetë lider i opozitës duhet të japë mesazhe të tjera dhe të inkurajojë policinë në këtë luftë të vështirë. Për fat të keq ai po sillet si lideri i atij sektit fetar në Irak që e sulmon qeverinë jo për të shpëtuar Irakun, por për t’u hakmarrë me gjysmën tjetër. Mirëpo edhe ai, Al-Saadri, pra, dha dorëheqjen në Irak dhe nuk e sulmon më qeverinë dhe koalicionin perëndimor siç bën Sali Berisha dhe Lulzim Basha në Tiranë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel