DASH: Korrupsioni, shqetësim i madh

27/02/2014 00:00

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut, problemet kryesore të Shqipërisë në këtë fushë i lidh më së shumti me korrupsionin, të cilin e përshkruan si “depërtues” në të gjitha degët e ekzekutivit, duke theksuar sidomos ngërçet në sistemin e drejtësisë.

Nga Janari deri në Qershor, njësitë e përbashkëta, që hetojnë korrupsionin publik e krime të tjera financiare, nisën 651 hetime të reja dhe dërguan 230 raste në gjyq. Proceset u realizuan në 82 prej tyre, duke rezultuar me vendime fajësie për 122 të paditur, e duke nxjerrë të pafajshëm 19 vetë.

Në muajin Qershor, në gjyq ishin akoma 275 individë. Përpjekjet e sektorit të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në policinë shtetërore, – thuhet në dokument, – u vështirësuan nga kapaciteti i kufizuar për misione të fshehta dhe mbikqyrje.

Edhe tentativat e organizmave të tjerë, që realizojnë hetime kundër korrupsionit, u vështirësuan nga rrjedhjet e informacionit, nga presioni politik, qoftë ai real apo i perceptuar, dhe nga një sistem i çoroditur ricaktimesh në detyrë.

Në raportin e përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, DASH thekson se ndër problemet e tjera kryesore në Shqipëri, gjatë 2013-s, kanë qënë bllokimi i reformave, e sidomos ajo e luftës kundër korrupsionit, ndërsa partitë politike e përqendruan vëmendjen te zgjedhjet parlamentare.

Pandëshkueshmëria konsiderohet gjithashtu një fenomen, që nuk ka marrë zgjidhjen e duhur. Përpjekjet e qeverisë, për të ndëshkuar zyrtarë me shkelje, kanë qënë – sipas DASH, – sporadike dhe jo të vazhdueshme.

Zyrtarët qeveritarë e politikanët, si dhe gjykatësit apo personat me interesa të fuqishme biznesi, shpesh i kanë shpëtuar drejtësisë. Për shkelje janë ndëshkuar vetëm disa zyrtarë më të vegjël. Të tjerë më lart tyre, edhe pse ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh, u hoqën nga postet e mëparshme dhe u vendosën në poste të tjera qeveritare, pa asnjë lloj ndëshkimi.

Shkelje të tjera serioze për vendin tonë, në fushën e të drejtave të njeriut, janë – sipas raportit – dhuna në familje dhe diskriminimi i grave. Dokumenti përmend keqtrajtimet e policisë gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve, shpesh herë me qëllimin për t’i nxjerrë atyre një rrëfim, kushtet e burgjeve nën standardet e nevojshme, apo gjyqësorin jo-efikas, prè e presioneve politike dhe korrupsionit.

Në pjesën që i kushtohet lirisë së medias, raporti tregon se qeveria, përgjithësisht, e ka respektuar lirinë e fjalës e atë të medias. Megjithatë, aty përmendet se ka pasur raporte, që qeveria dhe bizneset kanë influencuar e ushtruar presion mbi median.

Individët – vëren DASH, – mund ta shprehnin hapur apo edhe privatisht pakënaqësinë ndaj ekzekutivit, pa u frikësuar nga masat ndëshkimore, por ka të dhëna se qeveria iu kërkoi punonjësve të administratës të merrnin pjesë në tubimet elektorale.

Përmenden gjithashtu edhe presionet politike dhe ekonomike ndaj medias, apo dhe kërcënime të gazetarëve, ndërsa incidentet e dhunshme ilustrohen me rastin e operatorit të “Top Channel”, Gent Ballta, më 7 Prill, i cili u ndalua gjatë konfrontimeve në një ndeshje futbolli dhe, kur ishte në komisariat, u keqtrajtua nga policët.

Në raport gjen pasqyrim edhe çështja e gjobitjes së “Top Channel” me 400 mijë euro për rastin “Pango”. Apeli e përmbysi vendimin, ndërsa Gjykata e Lartë vendosi që ai të rikthehej në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Duke iu referuar, ndër të tjera, edhe çështjes së pronës, raporti del në përfundimin se një pjesë e madhe e pretendimeve për prona të konfiskuara, gjatë periudhës komuniste, mbeten të pazgjidhura dhe këtu theksohet fakti, që qeveria nuk ka implementuar një sistem efikas për rikthimin e tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta