Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkoi mbështetjen e Institutit të
Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për certifikimin e prodhimit vendas
bio, si pjesë e nismës ‘Prodho Shqip, Tregto Shqip e Konsumo Shqip’.

“Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë do të jetë ai që do certifikojë natyrën bio të prodhimeve shqiptare, nëpërmjet kapaciteve laboratorike tëshmë të instaluara, nëpërmjet akreditimit në të cilin ku Institut po ecën me vendosmëri për ta përmbyllur”, tha Panariti.

Në analizën vjetore të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Ministri Panariti tha se sfida kryesore është ajo e krijimit të markave shqiptare cilësore, si e vetmja mënyrë për të rritur konkurrueshmërinë në tregjet brenda dhe jashtë vendit. Gjatë analizës, drejtori i ISUV, Vitor Malutaj, e cilësoi 2013-n si vitin më të vështirë për shkak të shkurtimit të fondeve nga qeveria paraardhëse.

“Që në muajin maj 2013 u bë një shkurtim drastik me fondet e akorduara për Institutin dhe ky ishte i vetmi vit ku nuk u realizua tenderi nga Ministria e Bujqësisë për blerjen e reagentëve dhe kimikateve për kryerjen e analizave”, tha Malutaj.

Për të rritur sigurinë ushqimore të konsumatorëve, pranë këtij institucioni është ngritur qendra më e re e diagnostikimit të sëmundjeve infektive dhe të transmetueshme nga kafshët tek njeriu, një investim i Komisionit Europian dhe që do të nisë punën në fund të muajit mars.

Top Channel