SHBA ultimatum Karzait

26/02/2014 00:00

“Nëse marrëveshja dypalëshe e sigurisë mes Uashingtonit dhe Kabulit nuk
nënshkruhet, atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërheqin
trupat nga Afganistani”. 

Presidenti amerikan, Barak Obama i tha Pentagonit të përgatitet për largimin e ushtareve në fund të këtij viti. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney shpjegoi se presidenti amerikan ia kishte përcjellë këtë mesazh homologut afgan Hamid Karzai, gjatë një bisede telefonike, mes tyre.

“Ne e kemi bërë të qartë se shtyrja e nënshkrimit të Marrëveshjes Dypalëshe të Sigurisë e vështirëson planifikimin dhe ekzekutimin e ndonjë misioni amerikan në Afganistan pas vitit 2014. Dhe nëse presim për një kohë shumë të gjatë për nënshkrimin e këtij pakti, ka shumë të ngjarë që çdo mision për praninë e trupave pas vitit 2014 të jetë i një shkalle dhe ambicje më të vogël”, u shpreh Jay Carney.

Udhëheqësi afgan refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen e Dypalëshe të Sigurisë për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe NATO e cilesojne te nevojshme për të planifikuar  pranine ushtarake pas vitit 2014, me synimin për të mbështetur operacionet kundër- terrorizmit dhe trajnimin e forcave afgane.

Sekretari i Mbrojtjes Hagel tha se Departamenti i Mbrojtjes do të planifikojë si terheqjen po ashtu edhe pjesëmarrjen në një mision të drejtuar nga NATO, me fokus trajnimin, këshillimin dhe ndihmen për forcat e sigurise. Mbështetur mbi kete pakt, rreth 10 mijë trupa amerikane do të qendrojnë në Afganistan për 10 vjet, ne një rol mbështetes.

Hamid Karzai kundershton taktikat ushtarake amerikane ne vendin e tij, veçanerisht mesymjet ne shtepite afgane dhe ka deklaruar se kerkon siguri per dialog me militantet talebane, perpara se ta nënshkruajë. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Cak Hagel këtë javë merr pjesë në një takim të NATO-s në Bruksel si dhe në një takim të ministrave të Mbrojtjes të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.

Top Channel