Meksikë, akuza të reja ndaj Guzman

26/02/2014 00:00

Dy gjykata në Meksikë kanë urdhëruar që baroni i drogës Joaquin Guzman, i njohur ndryshe si “El Chapo”, të qëndrojë në burg në pritje të procesit gjyqësor, ku do të përballet me akuza të reja të lidhura me kriminalitetin e organizuar.

Guzman kërkohet për akuza të lidhura me trafikun e drogës në Shtetet e Bashkuara, por autoritetet meksikane nuk kanë vendosur ende nëse ai do të ekstradohet.

Vendimi i gjykatës do të thotë se “El Chapo” do të qëndrojë në një burg të sigurisë së lartë në Meksikë përgjatë gjithë jetës së tij.

“Hetuesit meksikanë po përpiqen të nxjerrin më shumë informacion prej tij, në mënyrë që të avancojnë përpjekjet e shtetit për vendosjen e sigurisë në vend”, ka thënë ministri i Brendshëm, Miguel Angel Osorio për agjencinë spanjolle “Efe”.

Ndërsa sipas televizionit meksikan Televisa, deri tani Guzman ka pranuar para hetuesve se ka vrarë nga 2 deri në 3 mijë persona.

Guzman ishte trafikanti i drogës më i kërkuar në botë para se të arrestohej në fundjavë. Kreu i kartelit të Sinaloas u arrestua në vendlindjen e tij, në lokalitetin turistik të Mazatlanit, pas 13 vitesh arrati.

Ai mendohet të ketë trafikuar në Shtetet e Bashkuara më shumë drogë se kushdo tjetër. Të martën, dy gjykata të veçanta ngritën ndaj tij akuza të reja lidhur me narkotrafikun.

Top Channel