Përshpejtohet rimëkëmbja e BE

25/02/2014 15:15

Komisioni Europian tha se rimëkëmbja ekonomike në BE është duke u përshpejtuar, ndërsa të dhënat optimiste bënë që të rishikohej rritja ekonomike për bllokun në vitet 2014 dhe 2015.

Sipas Komisionit, 18 vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro pritet të regjistrojnë një rritje të përbashkët të PBB-së prej 1,2% gjatë këtij viti, ndërsa në 2015 rritja do të kapë nivelin e 1,8%.

Për secilin prej këtyre dy viteve, pritshmëria është rritur me 0,1% nga parashikimi i mëparshëm.
Për Bashkimin Europian si të tërë, perspektiva flet për një rritje prej 1,5% dhe 2% në dy vitet e ardhshme.

Midis ekonomive që pritet të kenë performancën më të mirë është ajo e Mbretërisë së Bashkuar, e cila tashmë pret një rritje prej 2,5 për qind përgjatë vitit 2014, raporton BBC online.

Rimëkëmbja ekonomike e Bashkimit Europian, që së bashku përbën ekonominë më të madhe të botës pritet të sjellë një efekt zinxhir edhe në rritjen amerikane e atë kineze, dy ekonomive të tjera më të mëdha të botës, që do të kenë një treg më të gjerë për eksportet e tyre.

Top Channel