Itali, Renzi votëbesohet në Senat

25/02/2014 00:00

Kryeministri i sapobetuar i Italisë, Matteo Renzi, ka përcaktuar një vizion të guximshëm të reformave, disa orë përpara se të fitonte në Senat votëbesimin ndaj qeverisë së re të tij.

Përveç ndryshimeve të planifikuara në ligjin për zgjedhjet, shkurtimin e taksave dhe investimin në vende të reja pune, ai tha se dëshiron të shfuqizojë Senatin, si një organ ligjvënës.

Në orët e para të së martës, koalicioni i tij i gjerë fitoi votëbesimin në Senat, me 169 vota pro dhe 139 kundër. Ndërkohë, më vonë gjatë së martës, atij do t’i duhet të fitojë votëbesimin edhe në Dhomën e Ulët të Parlamentit, ku partia e tij e qendrës së majtë ka një mazhorancë të fortë.

Lideri i Partisë Demokratike, parti e së majtës në Itali, i cili nuk është aktualisht një deputet, pranoi se në moshën 39-vjeçare ai nuk përmbush kushtin minimal për të qenë anëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit italian. Kjo, pasi mosha minimale për të qenë një senator është 40 vjeç.

Ai u tha senatorëve se kërkon të nisë reformat në Dhomën e Lartë, jo më vonë se sa muaji i ardhshëm.

Votimi në Senat dhe mazhoranca që Renzi arriti të siguronte, është parë si një test kyç i fuqisë së tij për të bashkuar fraksionet e përçara në Parlamentin italian. Megjithatë, ai dështoi të siguronte një mazhorancë më të lartë se ish-kryeministri Enrico Letta, rivali i tij në parti, të cilin e largoi nga detyra në fillim të këtij muaji.

Letta mori 173 vota pro në Dhomën e Lartë me 320 vende, në Dhjetor të vitit të kaluar.

Qeveria e përbërë nga 16 ministra, në të cilën gjysma janë femra, ka një moshë mesatare nën 48 vjeç, më e reja në historinë moderne të Italisë.

Renzi, i cili është edhe kryebashkiak i Firences, tha të hënën para Senatit se Italia, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, duhet ta marrë më seriozisht luftën me financat publike të saj.

Këtë nuk e them për shkak të presionit nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel, apo nga kreu i Bankës Qendrore Europiane, tha Renzi, por sepse “duhet të punojmë në respekt për fëmijët tanë”.

Renzi parashtroi gjithashtu disa kërkesa:

– Kalimin e menjëhershëm të një serie reformash elektorale dhe kushtetuese, për të rikthyer besueshmërinë në politikë.
– Shkurtime në taksimin e pagave deri në fund të Qershorit, për ta bërë më të lehtë për kompanitë që të rekrutojnë stafin.
– Rritjen e pagesave të mirëqenies së të papunëve.
– Krimin e një programi për ndërtimin e shkollave.
– Të konsiderohet rritja e taksave mbi të ardhurat financiare të investimeve, për të paguar për reformën e punësimit

Kryeministri i ri italian emëroi një kabinet thuajse të panjohur jashtë Italisë, teksa Pier Carlo Padoan – ish-kreu i Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) – ka marrë postin e ministrit të Ekonomisë, ndërsa koleges së tij në parti, Federica Mogherini i ka dhuruar postin e ministres së Jashtme, të mbajtur më parë nga Emma Bonino.

Dy figura të biznesit italian, Federica Guidi dhe Giuliano Poletti, kanë marrë portofolet e Industrisë dhe Punësimit.

Top Channel