Rusi, burgosen aktivistët anti-Putin

24/02/2014 15:20

Tetë aktivistë u dënuan nga një Gjykatë Ruse për përleshje me policinë gjatë manifestimeve anti-Putin që përuruan mandatin e tretë të presidentit në vitin 2012.

Shtatë aktivistë të grupit “Bolotnaya” u dënuan me burgim deri në katër vjet heqje lirie, ndërsa e pandehura e tetë, një grua u la e lirë pasi u dënua me kusht.

Jashtë gjykatës ku u zhvillua ky proces, policia ndaloi më shumë se 200 persona që manifestuan në mbështetje të të pandehurve.

Aktivistët u shpallën fajtorë që ditën e premte, por gjykatësi shtyu shpalljen e masës së burgimit për këtë të Hënë.

Një veprim i tillë i pazakontë në gjykatat ruse u arsyetua nga mediat si një lëvizje e përllogaritur, për të shmangur vëmendjen negative në dy ditët e fundit të zhvillimit të Lojrave Olimpike Dimërore në Sochi.

“Amnesty International” protestoi ndaj vendimit të gjykatës ruse, duke e konsideruar atë si “të papranueshëm” dhe të “njëanshëm”.

Top Channel