FATOS BAXHAKU – Sa herë që ndihen ngushtë, sa herë që nuk shohin
alternativa të tjera, sa herë që duan të duken ndryshe, sa herë duan të
shfaqen si ithtare të vetme të ndryshimit, partitë politike e kanë bërë
tashmë zakon të vjetër që të merren me të rinjtë.
Është e çuditshme se që të dyja të mëdhatë përdorin një fjalor që ne të thjeshtët kujtonim se i kishte kaluar koha tashmë. “Vërshimi i gjakut të ri në parti, mijëra dallëndyshe të së ardhmes, filizat e progresit, e ardhmja është tashmë mes nesh…”, të gjitha këto janë përdorur në takimet e fundit të Lulzim Bashës nëpër rrethe e më parë nga kolegë të tij sot në pushtet.
Që të jemi të qartë qysh në fillim. Asgjë e keqe, përkundrazi, nuk i vjen vendit nga aktivizimi i të rinjve në politikë. Shumë prej liderëve të sotëm këtë atunë e të rinjve e kanë përdorur edhe për të larguar nga gjiri i partive të tyre brezin e kasketave apo të militantëve të militarizuar. Njësoj si njerëzit edhe partitë janë një organizëm i gjallë, edhe atyre u duhet të adoptohen, të rinovohen, të modernizohen, përndryshe koha e tashme e vrullshme i lë shumë shpejt mbrapa. Porse, sërish që të jemi të qartë, duhet të saktësojmë në radhë të parë se çfarë kuptojmë me termin “të rinj”. Sikurse tashmë e dimë, ka plot të rinj të plakur dhe të moshuar të rinj. Pastaj duhet edhe të merremi ca me seriozitetin e kësaj fushate propagandistike që në shumë aspekte, jo vetëm në atë të termave të përdorur, na kujton shumë herë të shkuarën e hidhur.
Në implikimin e sforcuar të të rinjve në politikë, nuk po bëhet gjë tjetër veçse po arrihet në “ndërtimin e njeriut të ri” të mijëvjeçarit të tretë. Ky njeriu i ri i sotëm, që ka parasysh fort mirë atë çka paraardhësit e tij kanë arritur, e di mirë edhe se e vetmja rrugë për të bërë përpara në jetë, për të ta vënë veshin, për të qenë i nderuar edhe kur nuk të kanë qejf, për të fituar një mirëqenie goxha të dukshme, për të pasur makinë të shtrenjtë e për të bërë pushime të shtrenjta jashtë vendit, na paskësh qenë vetëm dhe vetëm politika. Kështu i ka ky i ri modelet dhe këtë rrugë do të ndjekë. Për të dija, profesioni, drejtësia, shoqëria, pse jo hareja, festat, kushërinjtë, shëtitjet, dashuriçkat janë gjëra që edhe duhen edhe s’duhen, sepse më e para nga të gjitha është nëna parti, ajo që do ta rrisë, do ta edukojë e do ta lançojë në rrugën e karrierës. Nëna parti do t’i mësojë artin e propagandës, atë të skemave me të futur, atë të mbushjes së mendjes që je më i miri në faqe të dheut e pikërisht prandaj duhet të thuash vetëm unë, unë, unë…
Duke aplikuar me mburrje shtimin e radhëve të partisë me të rinj, që shfaqen entuziastë, por edhe disi të hutuar teksa mezi i kuptojnë fjalët e më të rriturve, PD-ja dhe para saj PS-ja, po bëjnë edhe një tjetër gabim fatal. Sot në botë, majtas e djathtas, thuhen vetëm për të përcaktuar një origjinë të largët historike. Ka ikur koha e partive masovike me radhë të shtrënguara rreth kryetarit, me unitet të padiskutueshëm dhe me një besnikëri vetëmohuese. Sot partitë nuk i bazojnë votat te shtimi i sforcuar i anëtarësisë, por te formimi i një lidershipi elitar, ku hyjnë të vjetër dhe sigurisht edhe shumë të rinj, por ama njerëz që kanë lindur për këtë punë dhe jo për gjë tjetër, njësoj sikurse Lionel Messi është për futboll dhe jo për violinë.
Në vend që të synojnë këtë, pasi kanë kaluar me sukses të trishtë fazën e pedofilizmit politik, kur shumë fëmijë hiqeshin nga mësimi dhe dërgoheshin ndër mitingje të rriturish, sot politika, kryesisht opozita, sepse ajo ka më shumë nevojë të paraqesë erën e ndryshimit dhe të numrit të shtuar, i është rikthyer erës së entuziazmit rinor gati-gati revolucionar.
Politikanët tanë duhet ta dinë tashmë se përfshirja masive e rinisë në politikë ndodh në periudha ndryshimesh të mëdha, sikurse ishte 1968 në Europë, sikurse ishte lëvizja studentore te ne, sikurse ishte revolta e studentëve në sheshin “Tien An Men”. Në kohë paqeje, evolucioni – me që ra fjala jemi apo nuk jemi në paqe xhanëm? – rinisë i takojnë dy gjëra të rëndësishme, të dyja në mënyrë të barasvlefshme: të studiojë, të nxërë dhe të jetojë, të zbavitet sa kohë nuk i kanë kaluar vitet e rinisë. Të gjithë ne të tjerët, ligjvënës, prindër, mësues, pedagogë, policë, gjyqtarë, psikologë, analistë, predikues, politikanë e politologë, dajallarë, teze e halla kemi vetëm e vetëm një detyrë: të krijojmë një vend normal ku këto dy të drejta, pra të nxënit dhe të jetuarit, të jenë relativisht lehtë të zbatueshme. Në vend që të bëjmë këtë, ne ua mbushim kokën me lloj-lloj termash agresivë, me gjithfarëlloj qëndrimesh patetike që janë krejtësisht jashtë natyrës së shpenguar e miqësore rinore.
Nëse politika e ka seriozisht këtë punën e afrimit të rinisë me të, a më mirë me thënë shtimit të numrit të votave që pret prej saj, atëherë nëse është kaq e mirë, le t’ua kthejë njëherë parqet që sot janë shndërruar në beton të zymtë gri, le t’ua kthejë fushat e sportit që ia ka rrëmbyer me pa të drejtë, le t’u rregullojë shkollat, lagjet shtëpitë, vendet e takimit, le t’ia heqë një herë e mirë nga mendja atë idenë shumë të përhapur mes tyre se “ky vend nuk bëhet”, le t’i rikthejë shpresën dhe gëzimin. Politika në radhë të parë duhet t’u bëjë me dije të rinjve se sistemi që po ndërtojmë nuk është ai i inatit, urrejtjes, smirës, karrierizmit të shfrenuar, mungesës totale të respektit për idetë dhe veprat e tjetrit, përkundrazi Shqipëria që ata kanë të drejtë të gëzojnë duhet të jetë Shqipëria e vlerave, e solidaritetit dhe respektit, e punës dhe e ndershmërisë. Përse jo? Shqipëria që fëmijët tanë duhet të gëzojnë, duhet të jetë edhe një vend i haresë dhe jo i zymtësisë. A nuk janë liria, demokracia, në shumë kuptime edhe festa të mëdha shumëngjyrëshe? Nëse politika e bën këtë, atëherë vetë nga gjiri i të rinjve do të dalin talentet e ardhshme të politikës, si me thënë paratërinjtë apo të rinjtë e reformatorëve. Nëse e gjitha kjo punë bëhet e stisur, e sforcuar, vetëm për propagandë, atëherë nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi shtuar numrin e të rinjve tashmë të moshuar para kohe. Dhe kjo nuk është e drejtë. Asnjë i rritur nuk duhet ta marrë përsipër këtë gabim të rëndë.
Top Channel