“Top-Story”: Protesta e opozitës

20/02/2014 00:00

20 Shkurti 1991 ka qenë një ditë e mërkurë, një ditë historike në
historinë e vendit, ku për herë të parë një lëvizje popullore doli
jashtë kontrollit të partive, duke nxitur një sërë procesesh që
ndryshuan përgjithmonë historinë e vendit.

Por, natyrisht pas 23 viteve, dita e sotme ishte ajo ditë në të cilën PD jo rastësisht zgjodhi të protestonte, duke provuar të paktën tre gjëra të rëndësishme.

E para, provoi që nmbështetësit e opozitës nuk janë të paktë, në radhë të dytë që protesta ishte më shumë se paqësore dhe e treta, sepse në fjalën që mbajti, Basha tregoi përfundimisht se është ai në drejtimin e partisë.

Për të biseduar mbi protestën e sotme dhe atë që ndodhi në këtë ditë historike pothuajse dy dekada e gjysmë më parë, Sokol Balla ftoi në studion e tij të “Top-Story” dy deputetë të Partisë Demokratike, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Zonjën Mesila Doda.

Përballë tyre u vendosën dy prej analistëve më të mirënjohur të vendit, Shpëtim Nazarko dhe Arjan Vasjari.

Në një shkrim të publikuar të enjten në shtypin shqiptar, ky i fundit e konsideroi protestën si të pamoralshme. “Prania e madhe e njerëzve nuk i heq asgjë pozicionit tim. Mbetet një protestë me cene morale, ndonëse betejat morale shpesh herë kanë qenë beteja pakicash. Ky nuk është vetëm pozicioni im, por është një pozicion i shumë njerëzve që duan një opozitë të fortë, konstruktive dhe një opozitë mendoj unë, që një herë e mirë të mos ta përdorë më figurën e Enver Hoxhës si një mur ndarës mes saj dhe kundërshtarëve. Sot, fjalimi i Bashës ishte për here të parë pas 23 vitesh një fjalim shumë pak i ideoligjuar dhe me shumë pak referenca ndaj Enverit. Ndonëse ishte e pashmangshme analogjia e 1991, mendoj se ishte e pandershme që të ndërtoje sot një paralele të PS 2014 me socialistët e 1991, nuk kanë asnjë lidhje mes tyre. Fjalimi i sotëm i Bashës ishte një sinjal shumë pozitiv, pasi nëse shohim me vëmendje protestën e sotme nuk duhet ta ndajmë nga debati i tmerrshëm parlamentar, ku replikat Berisha-Rama të lënë përshtypjen që 20 Shkurti është ende mision i pambyllur dhe Enveri vazhdon të ndajë, për shkakun se opozita ka një lloj intensioni për ta shtyrë mazhorancën drejt asaj figure. Edhe një herë nënvizoj që Basha e shmangu këtë tentativë për ta shtyrë mazhorancën drejt figurës së Enver Hoxhës”, nisi debatin në studio Vasjari.

Në marrjen e fjalës, zoti Paloka kritikoi ashpër debatin e sotëm parlamentar, ndërsa e konsideroi protestën si aktuale, përballë asaj që ai e konsideroi si arrogancë të qeverisë së sotme. “Pamjet e seancës së sotme treguan se kjo ishte të paktën seanca e arrogancës që kjo mazhorancë ka filluar atë që duhet të ishte qeverisje, por që Rama e quan udhëheqje. E vërtet jam dakord me Ramën kur thotë që mbase në atë parti s’janë komunistët e 1990-s, por mentalitetet janë të njëjta dhe këtë e kam pikërisht me Ramën. Nuk do të thotë të jesh komunist me portretin e Enverit në shtëpi që të konsiderohesh i tillë, pasi atë diktaturë në Shqupëri në radhë të parë e solli mendësia e atij që e drejtoi atë parti, që ishte mentaliteti i diktatorit. Ai të paktën fitoi një luftë dhe kishte shumë më tepër moral se Rama sot për të bërë atë që bëri, por ky zotëria ka ardhur në një vend demokratik, ne kemi pranuar që të qeverisë, por ai që ditën e parë nuk thotë votat që më dhanë mua janë një milionë shuplaka për opozitën e këtu duket mentatliteti, ai votën që i kanë dhënë e sheh si një inerci për të shkelur opozitën dhe vendosur diktatin”, akuzoi Paloka.

“Kjo është dëshmuar në vazhdimësi se meqë ka marrë votat mund të bëjë në këtë vend çtë dojë. Seanca e sotme ishte ndër faktet më të fundit dhe domethënëse, sot ishte një skandal i vërtetë në atë seancë pasi u shkelën me arrogancën më të madhe të gjithë procedurat, ligjet e kushtetuta pa i bërë syri tër askujt. E gjithë procedura për të hequr Zana Xhukën nga kreu i LDKPS-së ka qenë një shkelje e vazhdueshme e ligjeve të Kushtetutës e gjithçkaje e kjo ndodh se ky zotëria mendon që ka ardhur në pushtet e mund të bëjë çtë dojë. Nuk është ashtu, ti zotëri supozojmë që i ke marrë ato 1 mln vota për të qeverisur, jo për të vendosur diktatin siç i pëlqen atij të jetë, ky është edhe ndryshimi”, shtoi Paloka.

Sipas Nazarkos, “nga të gjithë njerëzit që ishin më agresivë për rrëzimin e bustit të Enverit ishte Edi Rama. Mbaj mend që ai ka ardhur me një artikull të tmerrshëm dhe nga të gjithë ata aty unë isha më i vogli sepse kam qenë gjithë kohën i persekutuar dhe mendoj se logjikisht në atë moment aty është mbajtur një ekuilibër sepse ishte e qartë që kishte marrë fund regjimi. Kishte tre arsye përse e kaluam lehtë, sepse pamë 1997 e 1998 më vonë se çfarë mund të kishte ndodhur. E para, sepse regjimi ishte i lodhur ekonomikisht dhe nuk kishte kush e mbante më në këmbë. Së dyti, sepse sipas mendimit tim kishte një arsye të fortë gjeopolitike, e amerikanët nuk donin që Shqipëria të destabilizohej. E gjithë historia ishte e mbyllur, e kornizuar dhe të gjitha palët kanë vepruar deri diku në mënyrë të natyrshme. Studentët i mbaj mend si njerëz brenda idealeve dhe ëndrrave të tyre, ndërsa pjesa tjetër ka pasur një pjesë kalkulimi të ftohtë që në fund të fundit si bëri dëm vendit, pasi një vend i qeverisur në mënyrë të llahtarshme për 40 vjet mund të ndodhte një kasaphanë. Përsa i përket pjesëmarrjes së PD në atë të bustit prapë kam idenë që nuk ka pasur heronj PD ndërsa ai manifestimi i sotëm, nuk mund ta gjykoj në mënyrë kategorike pse mos ta shfrytëzojë PD 20 Shkurtin, pasi nuk është dita e vet, por është një ditë simbol për demokracinë shqiptare ndaj përse mos ta shfrytëzoj?”.

“E para a duhet të ketë protestë në 20 Shkurt? Unë besoj se nuk ka simbol më të mirë në historinë tonë se sa të kthehet kjo datë në simbol të protestës në lidhje me situatën problematike që kalon vendi. Të thuash që s’ka moral protesta nuk ka asnjë lloj shpjegimi logjik në këtë situatë që jemi”, nisi arsyetimin e saj zonja Doda.

“Ju thoni që s’ka lidhje pasi figura e Enverit ishte e atakuar edhe nga Rama e të tjerët. Të jemi të qartë që në grevë, Rama s’ka qenë fare në Tiranë, e kjo s’ka rëndësi, por ka rëndësi në momentin që kalojmë. Ne si asnjëherë tjetër e kemi patur në vëmendje Hoxhën si pasojë e dy momenteve, në 29 Nëntor homazhet që u bënë në varreza dolën nderuan edhe Enver Hoxhën mbas shumë vitesh, çka do të thotë që përkrahësëit e tij ishin ndjerë më përkrahës e të realizuar edhe për faktin që u futën në koalicionin e mazhorancës. Së dyti, deklarimi i Metës që kërkoi ridimensionimin e figurës së tij, ndaj ka një tendencë për t’u ridimensionuar fiura e Hoxhës dhe me këtë ka qenë edhe ajo e demokratëve konservatorë që kërkojnë dekomunizimin e plotë të shoqërisë. Ndaj i kemi kërkuar kryeministrit të bëjë aktin e distancimit publik të Enver Hoxhës, sa herë e kërkoj unë këtë ama thuhet shihni hallin tuaj sepse ne e dimë tonin”.

“Dy rezoluta që dënojnë krimet dhe lustracionin nuk janë votuar kurrë nga PS”, vazhdoi deputetja Doda. “Interesi i të gjithëve në fund farë është që historia të zbardhet dhe të rinjtë të marrin një zë të vetëm nga politika, që në histori të flitet për të gjitha krimet e të kemi mundësi të kemi një pasqyre të qartë të 50 viteve të komunizmit e pastaj të shohim mënyrën se si u sollëm ne gjatë tranzicionit. Pra, kjo protestë ishte në lidhje me të gjithë shqetësimet që kanë ndodhur në këtë kohë, por a kishte të drejtë morale? Ky ishte momenti i parë i alarmit ku çdo njeri që ka në zemër të mirën e vendit të vetë thotë “Jo. Nuk mund të vazhdohet kështu”. Kujtoni protestën e Nëntorit të armëve kimike, studentët janë gjithmonë pararojë e shoqërisë, por studentët dhe PD kanë qenë një qënie e vetme, nuk kanë qenë një entitet antigonist ku njëra palë i hidhej tjetrës. Sot po tentohet të thuhet që bustin e hodhën PS dhe ne po e shihnim nga larg, kjo s’ka ku të qëndrojë”.

Pjesën e dytë dhe të tretë të Top Story debati u përqendrua tek qeverisja, opozita dhe ringritja e saj. Deputetja e PD-së, Mesila Doda u ndal te ligji i lustracionit. Sipas saj, Partia Demokratike ka paraqitur dy herë këtë ligj dhe në një rast është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, gjykatësit e kësaj gjykate kishin konflikt interesi me këtë ligj.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka iu rikthye premtimeve elektorale të opozitës së djeshme dhe maxhorancës së sotme. Ai tha se Partia Demokratike nuk pretendon që kjo maxhorancë të realizojë për 4 muaj premtimet e saj, por tha ai, në katër muaj të mos tregojë që nuk ka ndërmend t’i realizojë këto premtime. Sipas tij, qeveria ka në plan shkatërrimin e 20 mijë ndërtimeve.

Në frymën e kësaj, tha Paloka, ishte edhe slogani i protestës së 20 shkurtit të opozitës, “Puno ose largohu”.

Analisti Arjan Vasjari tha se Partia Demokratike mbetet një parti e madhe në Shqipëri dhe pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të fundit, nuk e ka të vështirë grumbullimin e njerëzve në shesh.

Duke u përqendruar tek e ardhmja e PD, Edi Paloka tha se PD do të vijë në pushtet atëherë kur të plotësohen kushtet, kur qeveria aktuale të ketë dështuar me premtimet e saj dhe kur shqiptarët të rikthejnë besimin e tyre tek PD.

Por deputetja Doda tha se PD nuk pret që të gabojë qeveria për të ardhur në pushtet. Sipas saj, thelbi i suksesit të opozitës në të ardhmen do të jetë vetë ajo dhe qytetarët që do dhe duhet t’i bashkohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA