
Irani dhe gjashtë fuqitë botërore do të nisin të martën raundin e parë të bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë në lidhje me programin bërthamor të Teheranit.
Bisedimet, të cilat do të mbahen në Vjenë, synojnë konkretizimin e marrëveshjes së përkohshme të nëntorit, kur Irani ra dakord të frenonte pasurimin e uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Në prag të takimit, si Irani ashtu edhe Shtetet e Bashkuara minimizuan shpresat për një zgjidhje të shpejtë, raporton BBC në edicionin e saj online.
Perëndimi dyshon se Irani po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore, dyshim ky që hidhet poshtë nga Teherani, si nga regjimi i Ahmadinejad ashtu edhe nga ai i presidentit të ri, Hasan Rouhani.
Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Francës, Rusisë dhe Gjermanisë pritet të nisin në orën 11:00 në kryeqytetin austriak.
Perëndimi kërkon që Irani të reduktojë në mënyrë drastike aktivitetet e tij bërthamore, për të siguruar se nuk mund të ndërtojë bombën atomike në një kohë të shkurtër.
Por Teherani nga ana e tij insiston se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe se dëshiron që t’i jepen fund sanksioneve që kanë dëmtuar ekonominë e tij.
Korrespondentja e BBC në Vjenë raporton se u deshën disa muaj përpjekje të vështira që të dyja palët të binin dakord që të uleshin në tryezë për të negociuar një marrëveshje finale. Sipas saj, takimi i sotëm do të jetë një test për arritjen e zgjidhjes.
Top Channel