Arrestohen misionarët e pajtimit

18/02/2014 00:00

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit të Mbarëkombëtar, Ndrec Prenga, 61 vjeç, një anëtar i kësaj asambleje Tom Marena, 70 vjeç, si dhe një përfitues i dokumentit fals të gjakmarrjes, Petrit Ndoj 33 vjeç, janë arrestuar në Durrës për korrupsion aktiv në sektorin privat dhe falsifikim dokumentash në bashkëpunim.

Strukturat e qytetit bregdetar, gjatë një hetimi disamujor arritën të zbulojnë dhe dokumentojnë se Misionarët e Pajtimit Mbarëkombëtar dhe degët e tyre në rrethe që kanë për objekt të punës së tyre trajtimin dhe zbutjen e fenomenit te gjakmarrjes në vend kanë keqpërdorur titujt që lëshojnë për vërtetimin e problemeve të hasmërisë, kundrejt përfitimeve, duke pajisur me vërtetime të rreme shtetas të ndryshëm.

Bazuar në këtë hetim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, të martën caktoi ndaj të 3 personave masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Ndërsa Ndrec Prenga realizonte dhe nënshkruante vërtetimet, Tom Marena, anëtar i shoqatës, shërbente si ndërmjetës.

I arrestuari i tretë, Petrit Ndoj, 33 vjeç me banim në Arapaj të Durrësit, është një nga personat porositës dhe i pajisur me vertetim të falsifikuar.

Në funksion të hetimit janë sekuestruar dokumente të falsifikuara, vërtetime të cilat në mënyrë jo të vërtetë paraqesin përfshirjen në konflikte të hakmarrjes e gjakmarrjes të personave të ndryshëm, ndërsa policia po bashkëpunon me autoritetet e vendeve të BE-së dhe Kanadasë për anullimin e procedurave të azilit për shtetasit me dokumente të falsifikuara.

Vërtetimet false për të mundësuar azilin e shtetasve të ndryshëm në vendet e BE-së dhe Kanada lëshoheshin kundrejt shpërblimit 300 deri në 1000 euro.

Top Channel