Elbasan, 30-vjeçari vdes nga mbidoza

17/02/2014 00:00

Një 30-vjeçar është gjetur i vdekur mbrëmjen e së dielës në një banesë të braktisur dhe thuajse të shkatërruar në lagjen “Haxhias” të qytetit të Elbasanit.

Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima është gjetur nga banorët e lagjes të cilët janë shqetësuar nga era e rëndë që vinte nga banesa e braktisur. Ende nuk dihet identiteti i personit, i cili mendohet se është i moshës 30 vjeç.

Sipas policisë, ai mund të ketë vdekur disa ditë më parë pasi trupi i tij ka nisur të dekompozohet. Paraprakisht mendohet se shkak i vdekjes ka qenë mbidoza me lëndë narkotike të llojit heroinë nëpërmjet injeksionit.

Pranë trupit të tij është gjetur shiringa me të cilën mendohet se është kryer injeksioni, ndërkohë që do të analizohet përmbajtja e saj për të specifikuar lëndën narkotike të përdorur.

Mësohet gjithashtu se vendi ku është gjetur kufoma prej shumë kohësh ishte kthyer në një qendër të përdoruesve të lëndëve narkotike. Në të janë gjetur dhjetëra shiringa.

Top Channel