Bulqizë, protestë për ujin e vaditjes

17/02/2014 00:00

Devijimi i ujit me ndërtimin e një hidrocentrali në fshatin Valikardhë të rrethit Bulqizë është bërë shkak që banorët e katër fshatrave të komunës Zerqan të ngrihen në protestë.

Ata kanë mësuar se hidrocentrali do përdorë ujrat e liqenit të zi që banorët përdorin për vaditjen e 2 mijë hektarëve tokë. Protesta nisi në vendin e quajtur “Ura e Qytetit”, ku dhe nis rruga për të shkuar në vendin ku ndërtohet HEC-i, duke e bllokuar këtë rrugë për rreth 1 orë.

“Ngelin në të thatë më shumë se 2000 hektarë tokë”, thonë banorët.

Kryeplaku i fshatit Strikçan, Mirvet Lala, pjesëmarrës në këtë protestë, tha: “Kemi bërë disa letra në adresë të organeve qendrore dhe lokale, por nuk kemi gjetur zgjidhje.”

Protestuesit akuzojnë drjetuesit komunalë duke thënë se personat që nënshkruan peticionin janë vënë nën presion duke mos u dhënë as shërbimet nga ana e pushtetit vendor.

Ndërkohë, banorët kërcënojnë se në rast të moszgjidhjes së këtij problemi, protesta e tyre do përshkallzohet.

Top Channel