
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit shpalli 5 projektet që kalojnë në fazën e dytë të konkursit ndërkombëtar për projektimin urban të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës.
Projektet u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare, në mesin e 45 projekt-propozimeve shqiptare dhe të huaja, për zhvillimin e vijës bregdetare me gjatësi 5 kilometra dhe shtrirje nga Pylli i Sodës deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë.
Adelina Greca, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, shpalli emrat e fituesve të cilët janë Diamel Kluzh, Martino Katara, Simon Hartman, Matias Bauer dhe Ksavier Degetor.
Në datën 21 shkurt, studiot e përzgjedhura do të prezantojnë vizionin e tyre para jurisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Vlorës në teatrin “Petro Marko”. Në të njëjtën ditë do të shpallet edhe projekti fitues përmes të cilit synohet shndërrimi i vijës bregdetare të Vlorës në një ndër pikat më tërheqëse të Mesdheut.
Top Channel