Vdekja e artistëve dhe realizmi socialist

16/02/2014 00:00

Ilir YZEIRI – Vdekjet e Vaçe Zelës, Skënder Sallakut dhe Ibrahim Madhit ndodhën në të njëjtën kohë dhe publiku, i gjendur bosh dhe pa asnjë eveniment të goditur ku të identifikohej, u mbështoll rreth tyre dhe sidomos me Vaçe Zelën u soll ashtu siç ajo e meriton vërtet, si me më të madhin artist që po ndahej nga kjo botë. Të rinj e të vjetër, të bardhë e të zinj, ballistë e komunistë, demokratë e socialistë, komunistë e monarkistë, kush e kush nxitonte të bëhej kritik arti para kamerës së radhës dhe ndonjë arrinte deri aty sa edhe këndonte ndonjë strofë nga këngët e saj.

Ndërsa Nexhmije Hoxha tha që këngët e Vaçes e kishin mbajtur gjallë në kohën që ajo kishte qenë në burg pas viteve ’90. Ndërkaq, ishte me të vërtetë rasti që të risillej edhe njëherë në vëmendje realizmi socialist dhe kritikët e Edi Ramës, i kujtuan me të drejtë atij se kështu po nderohej në një farë mënyrë edhe diktatura, meqenëse këngëtarja e famshme, në shumicën e rasteve, në këngët e saj, kishte si lajtmotiv tema që lidheshin me socializmin, Luftën N-Çl dhe Partinë. Problemi natyrisht është kompleks, por gjithsesi meriton të trajtohet nga shumë anë.

Gjithë fajin e ka Malarmé

Në vitin 2007, Cvetan Todorov boton  studimin «Letërsia në rrezik” (Paris, Flamarion 2007) dhe ngre disa probleme. Ai natyrisht merret me Francën dhe vëren se në atë vend letërsia është në rrezik dhe po shkon drejt mosvëmendjes. Ai bën përgjegjës disa institucione, por është interesant të vërehet se edhe ai vetë ndihet bashkëpërgjegjës për këtë gjendje, sepse edhe ai bashkë me strukturalistët e tjerë ndihmuan që letërsia të vështrohet si një entitet më vete i mbyllur. Të mos harrojmë se ai solli në Francë përvojën e formalistëve rusë, pastaj bashkë me Zherar Zhenetin patën krijuar revistën Poetika dhe patën lëvruar aty teoritë e shumta që e shohin letërsinë si një unitet ligjërimor të mbyllur. Kjo, thotë Todorov i hoqi letërsisë anën humane, lidhjen e saj me jetën dhe shoqërinë. Letërsia nisi të vështrohej gjithnjë e më shumë si një lojë fjalësh dhe teknikash fonematike. Fajin thotë ai duhet ta kërkojmë deri te dishepujt e “artit për art”, te Stephan Mallarme, te Floberi apo te Prust. Natyrisht se ky është një debat teorik që në Shqipëri nuk ka gjasë të bëhet kurrë, sepse këtu te ne ka ndodhur paradoksi fatal që, ana sociale apo determinizmi i sociologjizmit vulgar, ka qenë një normë e tillë që i kaloi të gjitha parashikimet në banalizimin që i bëri interpretimit të letërsisë përreth 45 vjet. Ndërsa periudha pas viteve ’90 nuk na shërbeu për të njohur mirë qoftë strukturalizmin apo teoritë moderne të rrëfimit ato që e shohin veprën si një unitet të mbyllur ligjërimor. Për to ne kishim nevojë sepse të tilla teori ishin anatemuar dhe nuk ishin lejuar të qarkullonin në hapësirën kulturore shqiptare. Ndaj sot ka një kakofoni të tmerrshme në interpretimin apo kuptimin e artit dhe të letërsisë. Ndaj edhe paradokse të tilla si ky që sapo kaluam që nga njëra anë kemi një artiste të madhe, një këngëtare me një vokal të jashtëzakonshëm, siç ishte Vaçja dhe nga ana tjetër, këngët e saj ishin frymëzim socialist i diktaturës. Si ta shpjegojmë që Skënder Sallaku ishte një aktor i madh humori, por ishte edhe komunist? Si duhet të sillemi me artin e realizmit socialist dhe me artistët apo shkrimtarët e saj?
 
Dogma dhe heretikët

Në librin tim të fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist 1944-49” (Onufri, Tiranë, 2013) jam përpjekur të shpjegoj procesin e instalimit të realizmit socialist në Shqipëri, duke analizuar e interpretuar ngjarjet që prekin periudhën nga 1945 e deri në vitin 1949. Kam vënë re se komunistët u treguan shumë seriozë dhe të ashpër ndaj kulturës. Pasi eliminuan vizionin demokratik dhe kombëtarist të Sejfulla Malëshovës, që u shfaq në faqet e revistës Bota e Re apo në Kuvendin e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve në tetor të viti 1945, ata e shpallën letërsinë dhe kulturën si forma të përhapjes së dogmës. Mirëpo dogmë nuk ishte vetëm ajo që do të realizohej, dogmë komuniste ishte edhe mënyra se si do të vështrohej e kaluara. Në këtë kuptim ata përhapën dhe instaluan një vështrim totalitar mbi memorien kolektive dhe mbi atë që do të realizohej. Dhe po të vështrohen punimet e Konferencës III të Lidhjes së Shkrimtarëve (tetor 1949) habitesh me ato që lexon. Ka deri edhe pyetje të tilla naive si: po realizmin a do ta përdorim për të treguar të shkuarën? Ose: po, mirë, kritika a nuk është mirë të jetë individuale dhe jo kolektive? Mirëpo çfarë ndodhi? Vetëm pesë vjet më vonë në letërsinë shqiptare vjen një poet që e shkallmon këtë dogmë. Ishte Ismail Kadare. Vjen Dritëro Agolli po ashtu. Kur flasim për letërsinë e realizmit socialist, natyrisht kemi parasysh edhe ata dhjetëra e dhjetëra autorë që sot nuk i kujton askush, atë letërsi e art mediokër e skematik që sot po ashtu nuk e kujton askush. Mirëpo, është fakt se heretikët e parë ndaj kësaj dogme ishin disa shkrimtarë të talentuar që nuk i përmbaheshin gjithmonë dogmës. Ishin dhe artistët e humorit që përqeshnin në disa raste jetën dogmatike. E gjitha kjo krijoi borgjezinë komuniste që kishte nevojë të dëfrehej me vetveten dhe me cenet e saj. A nuk e kemi edhe sot në të gjitha nivelet e drejtimit të vendit këtë borgjezi komuniste? Politikanë të dalluar, artistë të dalluar, mjekë apo profesionistë a nuk janë të gjithë ose në pjesën më të madhe të ardhur nga kjo borgjezi komuniste? A nuk ishin studentët e dhjetorit në pjesën më të madhe bijtë e borgjezisë komuniste ata që e përmbysën komunizmin në Shqipëri? Problemi ngatërrohet keq dhe këtu nuk është rasti për të vazhduar më tej. Arshi Pipa në numrin e parë të revistës së tij KRITIKA, në shënimin hyrës me titullin “Shpirti kritik”, duke folur për misionin e kritikës shkruante: “Mos gjykoni se kini me qenë të gjykuem! Me folë pa gjykue: me çmue”.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA