Moratoriumi i gjuetisë në Shqipëri

16/02/2014 00:00

Nëse ekziston një vend në Europë ku duhet të ndalet gjuetia, ky vend është Shqipëria. Kështu e ka vlerësuar novelisti dhe ambientalisti Jonathan Franzen në revisten “National Geographic” masakrimin masiv të zogjve migrues rreth Mesdheut.

Për shkak të gjuetisë së paligjshme, qiejt në Shqipëri po boshatisen nga zogjtë, thekson Frazen duke çuar deri në zhdukjen e specieve të rralla. Sipas tij, Shqipëria konsiderohet si një nga hapësirat ajrore më të mëdha në të cilën zogjtë migrues fluturojnë drejt Europës.

Shqipëria ka numrin më të madh të ligatinave në Mesdhe dhe kjo është shumë e favorshme për zogjtë të cilët pasi kanë kaluar Mesdheun, pushojnë pikërisht në Shqipëri. Prej këtej, ata duhet të kalojnë disa male për të shkuar në Europën Qendrore dhe Lindore.

Cdo pranverë dhe vjeshtë, miliona zogj fluturojnë në Shqipëri, por shumë pak prej tyre dalin jashtë të gjallë. Mund të shohësh aty spektakle, thekson Franzen, se si 50 mijë pata që vijnë duke ikur nga një dimër europian shumë i ftohtë të cilat spastrohen nga persona që i gjuajnë përfshirë dhe speciet që janë në rrezik. Nuk janë vetëm gjuetarët vendas, pasi Shqipëria është shndërruar në destinacion për gjuetarë italianë, turistë sepse në Bashkimin Europian, të paktën me letra, ka kontrolle shumë më të forta në lidhje se çfarë mund të gjuash dhe çfarë jo.

Mënyra e vetme për ta ndalur këtë masakër, shkruan Franzen, është ndalimi në mënyrë kategorike i gjuetisë, siç është moratoriumi i shpallur së fundmi nga qevria shqiptare e që mund t’i japë kohë shpendëve për t’u shumuar.

Ekspertë të biodiveristetit në Shqipëri deklarojnë se pas zhdukjes së thëllëzës së fushës, në Shqipëri tashmë kanë mbetur vetëm 40-50% më pak shpendë të pranishëm në lagunat dhe liqenet e vendit.

Duke vlerësuar të dobishëm këtë moratorium, ekpertët shqiptarë kërkojnë që brenda vitit 2015 të hartohet plani i menaxhimit të zonave të gjuetisë. Po kështu, Ministria e Mjedisit duhet të hartojë për vitin 2014 një plan masash të rrepta për zonat bregdetare ligatinore dhe ato malore në mënyrë që ky moratorium të funksionojë ashtu sikurse dhe moratoriumi i skafeve.

Top Channel