Bllokim stimulantëve hormonalë

16/02/2014 00:00

Për të stimuluar prodhimin e produkteve bio, qeveria shqiptare është e vendosur të forcojë kontrollin ndaj përdorimit të stimulantëve hormonalë, deri në ndalimin e plotë të tyre.

Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, thotë për Top Channel: “Po kontrollojmë farmacitë bujqësore ku këto stimulantë tregtohen dhe mund të shohim mundësinë e ndaljes së plotë duke amenduar ligjin për ushqimin. Vetëm me cilësi mund të konkurojmë tregjet vendase dhe ndërkombëtare.”

Tregtimi i prodhimeve shqiptare bio do të bëhet i ndarë nga produktet e importit, çka sipas ministrit Panariti do të ndihmojë në promovimin e produkteve “Made in Albania”: “Do të ketë një tabelë të madhe me siglën tonë dhe për secilën stendë ku do të tregtohen prodhimet do të afishohet produkti dhe zona prej nga vjen.”

Kjo nismë do të zbatohet fillimisht në tregun “Avni Rustemi” në kryeqytet, për tu shtrirë sipas ministrit edhe në tregje të tjera të vendi.

Injektimi i hormoneve
Ul vlerat ushqimore dhe tregtare, pasoja për shëndetin e konsumatorëve

Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë, për të bllokuar substancat e ndryshme, që stimulojnë rritjen artificiale të produkteve bujqësore e blegtorale, vjen pas disa rasteve, të denoncuara edhe nga media, të përdorimit të hormoneve, që përbëjnë rrezik për shëndetin.

Një nga këto raste është hormoni, i ndaluar me ligj, për rritjen artificiale të kafshëve, i njohur si “Boldemec”. Ky stimulant, i destinuar për qentë apo kuajt, për të rritur peshën muskulare apo performancën e tyre, mund të gjendej në farmaci veterinare në rrethe të ndryshme të vendit dhe përdorej për rritjen artificiale të kafshëve.

Sipas veterinarëve, konsumi i mishit të kafshës, që i është injektuar kjo substancë, shkakton rritje të kolesterolit në gjak, deri në kancer të mëlçisë.

Një tjetër rast i denoncuar nga media, është substanca “Etrel” në produktet bujqësore.

Ndonëse ekspertët nuk ndalojnë përdorimin e saj, në bazë të një rregulli të caktuar, nëse përdoret në doza të pakontrolluara, shndërrohet edhe ajo në rrezik për shëndetin.

Instancat shtetërore kanë deklaruar disa herë, se do të forcojnë kontrollin mbi produktet vendase, por përdorimi i këtyre stimulantëve të rrezikshëm nuk është ndalur asnjëherë, duke ngritur pikëpyetjen: Sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?

Top Channel