Rrethimi i godinës së Presidencës ka ndryshuar pamje paraditen e së shtunës. Disa punëtorë kanë nisur sharrimin e kangjellave të murit rrethues përballë bulevardit, duke hequr kështu edhe dekorin e rrethimit të këtij institucioni.
Ky ndryshim është cilësuar absurd për Artan Shkrelin dhe Artan Lamen, të cilët në pozicionin e përfaqësuesit të Forumit të Trashëgimisë Kulturore kanë reaguar ndaj këtij veprimi, duke e quajtur shkatërrim të objektit me vlera historike dhe monumentale.
Ata kanë deklaruar për mediat se për heqjen e këtij rrethimi nuk është lajmëruar Drejtoria e Insitutit të Mbrojtjes së Kulturës, as Këshilli Kombëtar i Restuarimit dhe as Ministria e Kulturës.
“Pas shkatërrimit vjet të Parkut të Brigadave, objekti i fundit që kishte mbetur pa shkatërruar po mundohen ta shkatërrojnë. Na thanë arsye të kota se ishte kalbur, etj, por rrethimi ishte i shëndoshë sikurse ishte 6 dekada më parë kur ishte vendosur”, deklaroi Lame.
“Ne u bëjmë namin kryetarëve të komunave dhe bashkive kur prishet kangjëlla e një shtëpie private, ndërsa këtu prishet një gardh simbolik, që ka prapa një histori të tërë, vetëm sepse dikush ka vendosur ta heqë për motive banale”, tha nga ana tjetër Shkreli.
Duke e lidhur këtë veprim me ndryshimin që pësoi godina e Kryeministrisë, Lame ka argumentuar se diferenca midis dy ngjarjeve lidhet me autenticitetin e tyre.
“Tek Kryeministria objekti monoment kulture ka lindur pa rrethim dhe administrata hoqi pa leje një rrethim të ndërtuar pa leje. Ndërsa sharrimi i rrethimit të Presidencës është një shkatërrim i atij monumenti”, theksoi Lame.
Si njohës të mirë të trashegimisë, Shkreli dhe Lame thanë se është zgjedhur qëllimisht dita e shtunë, ditë pushimi, që të punohet pa u vënë re në rrethimin e Presidencës, duke zhdukur vlerën historike që kjo godinë përmban.
Rrethimi, reagon Nishani
“Zyrtarët e qeverisë, deklarata spekulative e të paprincipta”
Në orët e pasdites presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të shtetit për shkatërrimin e murit rrethues të Presidencës.
Në njoftimin e tij, zoti Nishani i ka cilësuar si “spekulative dhe të paprincipta” deklaratat e Artan Lames dhe Artan Shkrelit.
“Shpreh keqardhje për vërejtjet, krejtësisht të pavenda, spekulative dhe të paprincipta që dy zyrtarë të lartë të qeverisë, të cilët mbajnë respektivisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t dhe këshilltarit të kryeministrit, bënë sot në mesditë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj institucionit dhe vetë presidentit të Republikës.
Lidhur me veprimet që po kryhen për sistemimin e një pjese të rrethimit të godinës së Presidencës, me përgjegjësi institucionale qartësojmë për publikun se:
Nuk parashikohet heqja e rrethimit të godinës së Presidencës. Godina e Presidencës, Monument Kulture i kategorisë së dytë, shpallur ligjërisht e tillë në vitin 2007, deri më sot me pamje të jashtme të bunkerizuar dhe aestetike, rrethohet me kangjella metalike me probleme evidente të gërryerjes korrodive.
Këto probleme njiheshin, por u shfaqën edhe më tepër dhe u konstatua se ishin të papranueshme pas heqjes së bimësisë që mbulonte pamjen e Institucionit më të rëndësishëm të vendit.
Sistemimet mbi atë rrethim dhe ato kangjella po bëhen me synimin e vetëm përmirësimin e pamjes së jashtme të godinës së Presidencës, harmonizimin funksional dhe estetik të asaj godine me hapësirat urbane rreth saj, për të bërë të mundur në këtë mënyrë, mes tjerash, hapjen dinjitoze të Institucionit për vizitorët vendas dhe të huaj”, thuhet në komunikatë.
Top Channel