
Europa e sheh me shqetësim krizën qeveritare të Italisë. Me dorëheqjen e kryeministrit Enrico Letta, vendi zhytet në kaos vetëm pak përpara zgjedhjeve në Parlamentin Europian.
Letta, idhtar i BE-së, largohet pas vetëm 9 muajve në këtë post, duke dështuar në mënyrë tragjike përballë ambicies së rivalit të ri brenda partisë së vet, Matteo Renzi.
Beteja politike me Silvio Berlusconi-n, që bashkë me postin e kreut të ekzekutivit, një vit më parë humbi edhe influencën që kishte, me dënimin dhe përjashtimin nga Senati, përfundoi në triumf për 47-vjeçarin.
Por, një tjetër luftë, këtë herë e brendshme, nuk e lejoi ta shijonte deri në fund fitoren.
Në Europë, Letta vlerësohej si një politikan i qetë e i logjikshëm, si njeriu që kontribuoi në krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm qeveritar, pas zgjedhjeve të Shkurtit 2013, kur rezultati nuk ishte shumë i qartë.
Deri në Nëntor, në koalicion ishte edhe partia e Berlusconi-t. Ai nuk arriti të ndërmerrte reforma madhore, megjithatë blloku ka vlerësuar hapat pozitive drejt zhvillimit ekonomik.
Kostot për financimin e borxheve të larta të shtetit italian ishin të përballueshme. Por, tani duket se ka humbur edhe ky stabilitet relativ, aq i rëndësishëm për Italinë, por edhe tregjet financiare që mund të rrëshqasin në paqëndrueshmëri.
Mediat gjermane përmendin rrezikun e një rikthimi të krizës së Euros, dhe konkretizimin e rrezikut për një falimentim të shtetit italian.
Matteo Renzi, që si kryebashkiak i Firences nuk ka përvojë me qeverinë kombëtare, ka shpallur reforma të ashpra. Por, më së pari, atij do t’i duhet të organizojë një mazhorancë, në të dyja dhomat e Parlamentit, të aftë për qeverisje.
Kjo do të jetë shumë vështirë, sepse partneri i deritanishëm në koalicionin me socialdemokratët, ministri i Brendshëm Angelino Alfano ka kërkuar zgjedhje të reja. Alfano në Nëntor, bashkë me disa të besuar, u shkëput nga kampi i Berlusconi-t, kur ky anuloi koalicionin me Letta-n.
Top Channel