FATOS BAXHAKU – Historia jonë është e stërmbushur me armiq. Në fillim
ishin pushtuesit. Lufta me ta mund të shkonte edhe shumë gjatë, madje
edhe me shekuj. Shpeshherë të qenët në luftë me armikun bën që të mos
kesh kohë të shohësh nga vetja.

Në luftë sigurisht që armiku është e keqja më e madhe dhe pra, ai është fajtor përgjegjës për gjithçka, sidomos për ato gjëra që nuk të pëlqejnë. Pas pushtuesve, si dolëm më vete, armiq të shumtë shovinistë na rrethuan nga të katër anët, donin të na përlanin edhe atë pak gjë që na kishin lënë. Edhe një herë nuk patëm kohë të shihnim nga vetja, luftërat, vigjilenca, të qëndruarit në frëngji me njërin sy të mbyllur e me tjetrin në shënjestër nuk na lanë shumë kohë të shihnim nga progresi. Pastaj, në kohë të komunizmit, befas u shndërruan të gjithë në armiq, të gjithë e kishin inatin me ne: intelektualë, apolitikë, antikomunistë, klerikë, liberalë dhe sigurisht “imperializmi dhe socialimperializmi”. Të gjeturit e së keqes diku jashtë nesh u bë kështu një nga tiparet më dalluese etnopsikologjike të brezave të tërë. Mirëpo kohët ndryshojnë vrullshëm në këto kapërcime mijëvjeçarësh dhe bashkë me to, duam apo nuk duam, ndryshojmë edhe ne. Por si do t’ia bëjmë tani që nuk kemi armiq? Të paktën të dukshëm e të deklaruar. Nuk duhet aspak të mërzitemi. Edhe për disa dekada e kemi mes nesh armikun tonë të sotëm më të madh. Ky është një armik i shumëngjyrshëm, madje i hareshëm. Nuk bën potere e as nuk rreh tambure teksa pushton me zell e me durim, pak nga pak, çdo pëllëmbë të tokës sonë. Nuk përdor krisma, as bomba dhe as pushkë për të na pushtuar. Ky përdor helmin, i cili sapo mbështjell gjithçka në natyrë, lëshohet më pas të helmojë edhe mendjet tona duke i paralizuar ato dhe duke na shndërruar ne vetë në disa hije, që vërtiten në një djerrinë të mbushur me ngjyra. Armiku me të cilin na ka ardhur radha të ndeshemi janë malet e plehrave që kanë vërshuar ngado, të mbështetura nga mendjet antiqytetare, antikulturë e antiedukatë, me një fjalë nga mendjet antishqiptare.

Si të gjithë të burgosurit ne shumë shpejt na dehu era e lirisë. Të dhënë me zell pas politikës dhe pas pushtetit, ca me PD e ca me PS, harruam se po linim pas një vend për të cilin shumë shpejt nuk do të kemi më arsye për t’u zënë, madje do t’i lutemi ndokujt që ta marrë përsipër. Që nga qeveria e parë e deri tek e parafundit, problemet e mjedisit janë konsideruar gjithnjë të dorës së dytë a të tretë. Shpesh mjedisi është parë si problem i pushtetit vendor, i cili në shumicën e rasteve kishte në dispozicion vetëm makinën e kryetarit të komunës dhe një sekretare që bënte edhe gjendjen civile. Shtoi këtu edhe ekzistencën e një vendi të papërgatitur si mendërisht ashtu edhe materialisht për të përballuar shoqërinë e konsumit, ku ambalazhet janë ku e ku më shumë sesa ajo çka ne konsumojmë.

Tani kemi mbërritur aty ku nuk mban më. Vetë Ministri Koka e ka dhënë shumë herë alarmin mbi ndotjen e jashtëzakonshme të territorit tonë. Madje një zëvendësministre e tij e lidhi këtë punë edhe me turizmin. Ajo tha pak a shumë kështu: O burra dhe gra të pastrojmë vendin se po na afrohet sezoni turistik! Zonja nuk e ka aspak keq, vetëm se thirrja e saj na kujtoi ato amvisat shqiptare që tundnin e shkundin shtëpinë në çdo prag të Vitit të Ri. E kishin me hall të madh. Më 1 janar nisnin vizitat dhe kush e di se çdo thoshin fqinjët nëse nuk i shihnin perdet e ndërruara dhe qilimat e pashkundur! Ka ardhur koha – dhe kjo qeveri e ka premtuar këtë – që problemet e mjedisit, më i pari nga të gjithë ai i plehrave, të zgjidhen një herë e mirë, pa diskutime të gjata e të ndërlikuara intelektuale, as me idenë se kaq fuqi kemi. Ka ardhur koha që të mposhtim një herë e mirë armikun tonë më të madh të kohëve moderne. Pastaj, shohim e bëjmë, do gjejmë me siguri ndonjë armik tjetër.

Për shumëkënd është e qartë se reforma territoriale-administrative është ngushtësisht e lidhur edhe me problemin e menaxhimit të plehrave. Duhet të jetë po ashtu po aq e qartë se ka nevojë të ngutshme për ashpërsimin e ligjeve që kanë lidhje me mbrojtjen e mjedisit dhe për ngritjen e një strukture eficiente ndëshkuese për të gjithë horrat që do të vazhdojnë të dëmtojnë natyrën. Ditën kur të shohim polic të pyjores me pranga, pistoletë dhe me një goxha shkop që të arrestojë ndonjërin, atëherë mund të themi se ndonjë gjë ka nisur të ndryshojë. Por politika ka ritmet e veta. Sidomos një pjesë e jona që ka mbetur ende shumë hatërmbetëse, dyshuese, sypërmbys. Nëse rrimë të presim atë, ai armiku që përmendëm më lart do të vazhdojë të bëjë kërdinë.

Çfarë mund të bëjmë ne qytetarët e thjeshtë? Në çdo luftë ka ushtri kundërshtare, por ka edhe “guerilje”. Ato lëvizje vullnetarësh dhe ambientalistësh që kanë lindur duhen përkrahur nga të gjithë, jo vetëm për gjëra të mëdha që mbajnë erë politikë të madhe, por edhe për ato më “të voglat”, ato që na rrethojnë përditë. Madje ka ardhur koha që jo vetëm të aktivizohemi në krah të shoqatave tashmë të njohura, por që kudo, ndër lagje e fshatra të krijohen grupe të ngjashme, synimi i të cilave është të mbajnë pastër vendin tonë, shtëpinë tonë. Dikush duhet të dalë e t’u thotë atyre fshatarëve që ende hedhin plehrat në lumë, se në mos për tjetër, këto plehra do t’i shkojnë para hundës edhe djalit a vajzës së tij që studion në qytet. Ndokush tjetër mund t’u mësojë fshatarëve se nuk u kushton ndonjë gjë e madhe që të mbledhin plehrat në një vend të caktuar dhe më pas le të paguajnë një furgon nga fshati që t’i çojë atje ku duhet. Kaq e vështirë qenka? Vetëm pas kësaj, vetëm kur rreth këtij armiku, që na dhuroi progres, të krijohet një frymë mbytëse asgjësuese, vetëm atëherë mund të fitojë “ushtria” me ligje, gjoba, policë, gjyqe… Nëse kjo nuk ndodh, atëherë për fat të keq, ka shumë gjasa që të na ndodhë si me ligje të tjera, që kanë mbetur të fjetura e të pazbatueshme.

Ne dhe prindërit tanë i kemi një borxh shumë të madh historisë. Ky vend u gjet i varfër, por i pastër dhe u shndërrua brenda shtatë dekadash në një vend të varfër po se po, por edhe të pistë. Por më shumë se historisë i kemi një borxh të madh të ardhmes. Të besosh se fëmijët tanë mbase do të na falin nëse i lëmë trashëgim një vend të tillë, do të thotë të jesh optimist i pandreqshëm, mbase dhe jo fort në rregull.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA