ANDREA STEFANI- Krimi i pandëshkuar është si të vërtetat e hidhura që
kur nuk thuhen, helmojnë të ardhmen e shoqërisë. Sepse shoqëria nis e
familjarizohet me krimin që nis e perceptohet jo më si krim.
Aq më shumë mund të thuhet një gjë e tillë për një krim si ai i 21 janarit ku u vranë protestues të pafajshëm. E vërteta për këtë masakër nuk është thënë. Drejtësia nuk është bërë. Në një sistem diktatorial kjo nuk do të përbënte problem. Madje është në natyrën e diktaturës të vrasë ata që e kundërshtojnë. Por, për një qeveri që pretendon të jetë demokratike, vrasja me plumba e oponentëve protestues është e paimagjinueshme. Dhe një gjëmë e tillë ka ndodhur në 21 janar. Një gjëmë që pasohet nga një tjetër gjëmë. Ajo e mosndëshkimit të fajtorëve. Dhe ata nuk janë thjesht disa gardistë që, me shumë gjasa, morën urdhër të fshehtë për të qëlluar. Ata janë liderët e politikës shqiptare që ishin në krye të shtetit atë ditë. Të pandëshkuar për krimin e 21 janarit ata vazhdojnë ta udhëheqin Shqipërinë dhe prandaj e ardhmja e saj vështirë se mund t’i shpëtojë kriminalizimit.
***
Sali Berisha shkatërroi të djeshmen dhe tani po punon të shkatërrojë edhe të nesërmen e Shqipërisë. Dhe si mashë ka zgjedhur Lulzim Bashën. Këmbënguli që Basha të jetë “pasuesi” i tij në PD. Për këtë qëllim manipuloi, po të marrim të mirëqena edhe ato që ka deklaruar Astrit Patozi, edhe zgjedhjet në PD. Aspak rastësisht. Në krye të PD, qoftë edhe sa për sy e faqe, duhet të vinte një njeri i kriminalizuar në superskandale, si ai i rrugës Durrës-Kukës, dhe në masakra si ajo e 21 Janarit. Dhe përse? Së pari për të qenë lehtësisht i shantazhueshëm nga Berisha që duket ia di të gjithë të fshehtat komprometuese. Së dyti, për të kriminalizuar të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë. Sepse një shoqëri që nuk kërkon përgjegjësitë, në mos penale të paktën morale, për një krim të ndodhur në mes të ditës dhe nën fokusin e kamerave të mediave, një shoqëri e tillë pajtohet me krimin. Së treti, nëse do pranohet për lider opozite një politikan që ka përgjegjësi të qarta për masakrën e 21 janarit, përse “morali” publik të mos “amnistojë” edhe të gjithë bëmat e Sali Berishës. Duke promovuar një të inkriminuar Berisha po punon jo vetëm për tu mbrojtur sot nga antikorrupsioni, por edhe për të konservuar një vend me lavdi në histori. Ai e di fort mirë se për të fituar lavdi nga krimet duhet që edhe shoqëria ta pranojë krimin. Të paktën si domosdoshmëri të kohës.
***
Asnjë shoqëri normale nuk do të pranonte që njerëz të përfshirë kaq qartazi në megakrime, të mbeteshin në krye të punëve të shtetit dhe të politikës. Askund nuk mund të ndodhë ajo që po ndodh me Bashën. Rasti më i fundit që fton për ballafaqim të standardeve vjen nga Anglia ku një ministër dha dorëheqjen vetëm, sepse u zbulua se kishte punësuar në shtëpi të tij një emigrante me dokumente të falsifikuara. Për kaq pak gjë? – mund të çuditen jo pak në Shqipëri. Po për kaq! Sepse ka shkelur ligjin. Dhe në një shtet ligjor nuk ka rëndësi sa e shkel ligjin. Mjafton që e shkel. Aq më tepër kur je qeveritar. Qeveritarit nuk i falet ta shkelë ligjin as edhe një qime. Në një shtet ligjor ndodh krejt ndryshe nga Shqipëria kur qeveritarët e korruptuar jo vetëm nuk ndëshkohen për shkelje të ligjit, por edhe janë të imunizuar nga ndëshkimi i drejtësisë. Edhe për krime të përbindshme si ai i 21 janarit. Në Angli ministri i Emigracionit largohet vetëm se punësoi privatisht një emigrante pa e ditur se kishte dokumente të falsifikuara ndërsa në Shqipëri, ministri i Brendshëm, ushtarët e të cilit vrasin protestues para syve të tij dhe ndoshta edhe me urdhrin e tij, promovohet si lider i opozitës, si “yll në ngjitje”, me synim që në një të ardhme, të bëhet ndoshta edhe Kryeministër i Shqipërisë.
***
Dhe ka një pjesë të shoqërisë që e pranon këtë gjë si normale. Ashtu siç pranohej nga jo pak njerëz vrasja e kundërshtarëve politikë nën diktaturën komuniste në emër të mbrojtjes së pushtetit popullor. A nuk është ky pranim i krimit? Mos i kërkoni kurrkund shkaqet e mosmarrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit. Edhe nëse ndodh nesër përsëri. Mosndëshkimi i 21 janarit, vendos mes Shqipërisë dhe Europës atë humnerë që ekziston mes diktaturës ku vriten protestues nga njëra anë, dhe demokracisë ku nuk vriten protestues në anën tjetër. Një humnerë që nuk mund të ngushtohet pa rivendosjen e drejtësisë.
***
Ndëshkimi i kriminelëve politikë të 21 janarit është shumë i vështirë. Sepse si një gjeni i së keqes, Berisha i ka parashikuar të gjitha lëvizjet. Kapja e prokurorisë dhe e gjyqësorit e ndërmarrë dje për qëllime autokratike sundimi, po i shërben sot për t’u mbrojtur hetimet dhe gjykimi i pavarur. Por pavarësisht këtyre pengesave, qeveria e sotme ka detyrën për të bërë çdo denoncim, çdo reformë institucionale që do të çonte në rivendosjen e drejtësisë. Jo vetëm për të mbajtur një premtim të bërë familjeve të të vrarëve dhe shqiptarëve. Por edhe për të hequr një barrë morale nga kurrizi i saj. Sepse Berisha e ka akuzuar opozitën e djeshme dhe shumicën e sotme si organizatore të një puçi. Ai shfajëson veten për vrasjet, i quan ato të përligjura dhe të drejta, sepse fajëson kundërshtarët e tij për “puç”. Dhe ka jo pak shqiptarë që e besojnë këtë gënjeshtër. Ka jo pak shqiptarë që e votojnë Berishën dhe Bashën dhe kundërvotojnë Ramën duke besuar te kjo gënjeshtër. Një gënjeshtër që e pengon qeverinë “Rama” të jetë plotësisht qeveria e të gjithë shqiptarëve.
***
Por ndërsa qeveria “Rama” ndesh vështirësi dhe obstruktim nga një sistem i kalbur drejtësie, duket se Berisha dhe kampi i tij janë shumë të kënaqur nga statuskuoja e shurdhërisë për 21 janarin. Dhe nuk mund të mos duken tamam si ai vrasësi që është i kënaqur me mosdaljen e së vërtetës mbi krimin që vetë ka kryer. Po të mos jetë kështu përse nuk këmbëngulin as Berisha dhe as Basha për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit? Përse nuk këmbëngulin që të vazhdojë puna e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e puçit? Në mos nuk i rëndon damka si kryefajtor për këtë vrasje ku e kanë përgjegjësinë për t’i faktuar publikut të vërtetën e tyre për 21 janarin? Mesa duket tremben se një komision hetimor që nuk do të drejtohej më nga Halimi, nuk mund të zbulonte gjë tjetër veç gënjeshtrat e tyre. Ndryshe, edhe pse jo më në pushtet, do luftonin me thonj e me dhëmbë, që drejtësia të ndëshkonte “puçistët” në pushtet. Sepse për të vërtetën luftohet edhe në opozitë. Madje më shumë. Por pasiviteti i Berishës dhe Bashës, heqja dorë prej tyre e zbardhjes së puçit të 21 janarit, është prova më e sigurt logjike se e vërteta nuk është në anën e tyre. Por është një e vërtetë që duhet të dalë. Dhe sa më shpejt. Sa nuk ka kriminalizuar edhe të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Sepse demokracia, ndryshe nga diktatura, nuk është si kalaja e Rozafës. Ardhmëria e saj nuk themelohet mbi krimin.
Top Channel